E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, nis testimi i asfaltit

Autostrada Durrës-Kukës duket se shumë shpejt do të shkurtojë distancat mes shteteve dhe popujve të Ballkanit, në radhë të parë të shqiptarëve. Ajo që vetëm para dy vitesh dukej krejt e vështirë për t‘u imagjinuar dhe që gjatë gjithë kësaj kohe u shoqërua me debate të forta, lidhur me fondet, këto ditë ka provuar testin e parë të asfaltit. "Bechetel-Enka", kompania amerikano-turke, e cila ndërton pjesën më të vështirë të autostradës nga Resheni në Kalimash, prej 60 km, këto ditë, pas përfundimit të pjesës dërmuese të krejt trasesë, ka nisur në Kalimash edhe testin e asfaltit, përkatësisht në segmentin Tunel (portali verior) - Fushë Dukagjin, me gjatësi 9.1 km. Për kompaninë e njohur BEJV, por edhe shqiptarët, kjo përbën një ngjarje të rëndësishme në kuadër të këtij projekti madhor.

Amerika e ka këmbën e mbarë

Një inxhinier vendas, që punonte me kompaninë "Bechtel", duke treguar optimizmin e vet dhe ndoshta të gjithë të tjerëve, na tha: "Shkelni të parët mbi asfaltin e ri, ishallah e keni këmbën e mbarë...". Ndërsa një roje objekti me uniformë, duke ndërhyrë si me shaka, shtoi: "E ka këmbën e mbarë Amerika. Ajo po". Muaj më herët, ish-drejtori i Tunelit për pjesën e veriut, Kris Dikson, pat thënë që kompania synon që veprën ta përfundojë katër muaj para afatit, dhe, siç duket, ky parashikim po mbahet. Banorë vendës të hipur nëpër makina kërkojnë të afrohen për të parë nga afër asfaltin e ri, që për ta nuk është thjesht një asfalt dosido, por është shkurtim i rrugës së rrezikshme të Qafës së Malit, kursim i kohës dhe i shëndetit... Ata mbajnë flamuj amerikanë në makina, por afrimi në objekt nuk është i mundur. Kompania punon 24 orë ‘non stop‘ me ritëm të lartë dhe askush nuk ka kohë të merret me vizitorë të rastësishëm.

Disa tregues të punës

Me ndërmjetësimin e përkthyesit të kompanisë, Ismet Kola, kontaktuam me disa nëpunës teknikë realizues, si dhe u njohëm me një material të përgatitur nga zëdhënësja, Ina Zagar. Materiali na furnizon me një sërë të dhënash, të cilat shërbejnë jo thjesht si elementë të statistikës, por edhe si tregues i dobisë sociale për një numër familjesh si dhe për teknologjinë e lartë me të cilën punohet aty. Kompania ka të punësuar aktualisht 3700 punëtorë, 2/3 e të cilëve janë shqiptarë. Në masën e punëtorëve vendës shumica e tyre janë teknikë dhe mjeshtër montimi, si dhe inxhinierë konstruktorë. Në gjatësinë prej 60 km autostradë e parametrave të lartë, janë gjithsej 27 ura, secila me katër korsi. Në të 27 urat punohet njëkohësisht dhe nga dy impiante prodhimi janë prodhuar 385 trarë. 190 prej tyre janë tashmë instaluar. Shtatë ura kanë përfunduar dhe ato tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun e vetë kompanisë ndërtuese, e cila ka në punë plot 1300 mjete si vinça, fadroma etj. Dhe konkretisht, pesë sonda për të hapur tunelet, dy lancera për trarët e urave, dy impiante të prodhimit të trarëve të paranderur të urave, gjashtë nyja betoni, dy gurore, 6 vinça të lartësive dhe peshave të mëdha, 380 kamionë, 92 ekskavatorë e kështu me radhë.

Ura më e lartë

Para disa ditësh ka nisur edhe instalimi i urës më të lartë të krejt aksit, asaj që inxhinierët e quajnë "Ura 88", te vendi i quajtur Përroi i Mehmet Kecicit. Kjo urë është e lartë rreth 90 metër, ndërsa e gjatë 316 m. Konsiderohet nga inxhinierët si mjaft e vështirë për t‘u realizuar teknikisht, siç tregon inxhinieri N.D. nga Kukësi, ura vjen me hark dhe pjerrësi 2.5 gradë në zbritje e ngjitje. Për të u përdorën 48 trarë, secili me gjatësi 40m dhe me peshë mbi 40 tonë.

Autostrada Durrës-Kukës shënon edhe rekordin e volumit të punimeve të kryera ndonjëherë në Shqipëri. Nga të dhënat teknike në zyrat e drejtimit mësohet se deri tani janë gërmuar mbi 25 milionë metër kub material, duke përdorur 9 milionë metër kub material mbushës si dhe janë vendosur mbi 151000 metra kub struktura betoni. Duke ecur më tej me shifrat, të cilat vetëm një teknicien mund t‘i konceptojë saktë, mësojmë se nga kjo kompani ka realizuar në këtë vepër deri tani në total mbi 13.4 milionë orë pune.

Asfaltimi

Një inxhinier amerikan në aksin portal verior nga Tuneli në Fushë-Dukagjin na sqaron se asfaltimi i tanishëm është vetëm testimi i produktit. Shtresa e asfaltit është e trashë 15 cm dhe pas saj janë edhe dy të tjera. Deri te kjo fazë, kompania ka punuar me shumë kujdes me shtresat e paraprake të zhavorrit deri te stabilizanti, një shtresë që siguron përfundimisht nivelin e rrugës. Në pajisjet e mëdha, të cilat i përmendëm më sipër, përfshihen edhe dy nyje asfalti (një në Klos dhe një në Kalimash), të cilat bëjnë të mundur avancimin me asfalt 1 km në ditë.

Tuneli

Nisur nga rregullat e sigurimit teknik apo thjesht angaria e shoqërimit, vizita në tunel është tepër e vështirë. Duke përfituar nga rasti i vizitës së një grupi parlamentarësh dhe të zgjedhurish të tjerë nga Kosova, të cilët i shoqëronin edhe autoritetet rajonale të Kukësit, të cilët kishin siguruar më herët lejen te ministri përkatës dhe madje edhe te Kryeministri, pamë nga afër punimet në tunel. Na veshën me uniformën e kompanisë, na dhanë kasketë, si dhe na mbajtën një leksion mbi rëndësinë e respektimit të rregullave të sigurimit teknik. Gjithkush mund të mendojë se me kaq mbaron përgatitja, por nuk qe kështu. Gjëja më interesante ishin disa etiketa çeliku me numra, të cilat duhet të shënoheshin në një fletore për këdo që hynte në tunel dhe të dorëzoheshin pas daljes që andej. Një punëtor, nga Kalimashi, që shkruante në fletore emrat, duke shënuar edhe numrin identifikues të llamarinës, na tha se "mos u çuditni, që kur kemi filluar punë këtu asnjë punëtor nuk ka gërvishtur qoftë edhe një gisht, këto rregulla e kanë mbajtur këtë punë...", tha ai, duke ka zgjatur llamarinat si ato që mbanin dikur ushtarët. Në tunel punohet njëkohësisht në të dy galeritë në të dy hyrjet veri dhe jug paralelisht. Progresi total i kombinuar në të dy galeritë e tunelit deri në fund të shtatorit është rreth 7 km dhe ku është realizuar mbi 64 për qind e volumit të punimeve.

Linja e prodhimit të trarëve

Emri Mehmeti, një teknik nga zonat e Kukësit, që punonte aty, i specializuar për punën që bënte, tha se betonimi i trarëve ishte nga proceset më të vështira dhe me përgjegjësi të lartë. Ai tha se ekspertët kishin testuar gati shumicën e prodhimeve ballkanike të çimentos dhe përfundimisht ajo blihej diku në shtetet e Perëndimit. "Kemi provuar edhe çimenton e vendeve të rajonit, por nuk kanë standard evropian, përdorim çimento "ISSO 9001", tha ai, duke shpjeguar edhe procesin e tharjes së betonit. E thajmë me pajisjen e posaçme, që nxehet me ujë në temperaturën 80 gradë, janë ura autostrade këto dhe do të qëndrojnë për shekuj, nuk janë shaka", tha duke thithur një duhan "Marlboro".

Siguria

Masa ekstreme në tunelin e Kalimashit

Në tunelin që po ndërtohet në Kalimash është pothuajse e pamundur të hysh. Një punëtor na thotë me humor se është më e lehtë të marrësh një vizë për në Amerikë se sa një leje për të hyrë në tunele. Përpara ca kohësh, në këtë vepër shkoi një grup deputetësh, të cilët për të realizuar vizitën kishin marrë leje te firma, te ministri, madje edhe të kryeministri. Edhe "baballarët e kombit" nuk bërë përjashtim për sa u përket kushteve të sigurisë. Të gjithë i veshën me uniformën e kompanisë, me kasketa dhe i detyruan të dëgjonin një leksion mbi rëndësinë e respektimit të rregullave të sigurimit teknik. Të gjithë u varën në qafë disa "etiketa" çeliku me numra, si ato të ushtarëve. Këto etiketa shërbejnë për të njëjtin qëllim që shërbejnë edhe në luftë: për të identifikuar kufomat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›