E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, pritet sot hedhja e shortit në Gjykatën e Lartë

Tiranë- Gjykata e Lartë pritet të hedhë sot shortin për dosjen Durrës-Kukës, ku i pandehur është edhe ish-ministri i Transporteve Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm. Sipas burimeve nga gjykata, shorti do të përcaktojë gjyqtarët që do të marrin në shqyrtim dosjen për rrugën.

Dosja në Gjykatën e Lartë u dorëzua nga prokuroria në datën 5 dhjetor, ndërkohë që hetimet për këtë çështje shumë të debatuar vijuan për më shumë se 17 muaj.

Shpërdorim detyre dhe favorizim në tender janë akuzat e prokurorisë mbi Lulzim Bashën, për të cilat ai ka reaguar dje nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. Ai i quajti të pabaza dhe skenar i pastër politik akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar prerë se nuk ka ndër mend të japë dorëheqjen, pasi gëzon mbështetjen e PD-së.

Pas dorëzimit të dosjes në Gjykatën e Lartë, pritje që shorti të hidhej ditën e martë, por ai u shty për sot, pasi më parë u gjykua e nevojshme të diskutoheshin procedurat që do të ndiqeshin.

Sipas prokurorisë, është gabuar gjatë procedurave të tenderimit, përzgjedhjes së firmës fituese për ndërtimin e segmentit të shumëpërfolur Rrëshen-Kalimash, ndërkohë që dëmi i shkaktuar kap shifrën e 232 milionë eurove. Për këtë shumë opozita ka akuzuar hapur Bashën spër vjedhje, ndërkohë që ka saktësuar se në gjithë këtë ai ka pasur mbështetjen e plotë të kryeministrit të vendit, Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›