E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furtunë shkarkimesh në OSSH

Brenda dy ditëve janë shkarkuar drejtuesit e Fierit, Vlorës dhe Elbasanit, paralajmërime për të tjerë

Motivi: Nuk përmbushën objektivat për realizimin e arkëtimeve. Shteti nuk paguan vetë energjinë

TIRANË- Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike ka nisur një seri shkarkimesh dhe paralajmërimesh në prag të privatizimit. Sipas njoftimit zyrtar të OSSH-së, vetëm dy ditët e fundit janë shkarkuar ose kanë marrë paralajmërim për shkarkim gjithsej katër drejtorë të njësive rajonale.

Pas largimit nga detyra që drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi, i ka komunikuar para dy ditësh drejtorëve të OSSH-së së Fierit dhe atij të Vlorës, jo më larg se dje, ai shkarkoi edhe drejtorin e OSSH-së së Elbasanit, Artan Topi. Edhe për këtë të fundit, burime zyrtare nga OSSH-ja konfirmojnë se motivi i largimit të tij ka qenë mosrealizimi i objektivave të faturimeve. “Kjo zonë, e cila është një nga më të mëdhatë në vend, ka mosrealizim treguesish”,- citohet në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Furtunës së OSSH-së nuk i ka shpëtuar edhe drejtori i OSSH-së së Pogradecit, i cili gjithashtu, është paralajmëruar për shkarkim nga detyra. Shkarkimet dhe paralajmërimet e fundit duket se kanë të bëjnë me kontrollet që Drejtoria e Përgjithshme e OSSH-së ka nisur nëpër rrethe në prag të privatizimit të këtij operatori strategjik. Mësohet se vendimi për shkarkimin nga detyra të drejtorit të njësive të Operatorit të Shpërndarjes për zonën Fier-Vlorë dhe të drejtorit të degës së OSSH-së së Vlorës, është marrë pas një mbledhjeje që vetë drejtori i përgjithshëm i këtij dikasteri, Sahit Dollapi, ka zhvilluar para disa ditësh në qytetin e Fierit. Gjatë kësaj mbledhjeje, kanë dalë në pah mosrealizimet e objektivave për nivelin e arkëtimeve të këtyre qyteteve. Konkretisht, mosrealizimi i objektivave për këto qytete është 2 për qind për Fierin dhe 11 për qind për Vlorën. Sipas të dhënave, kjo e fundit mbetet ende një zonë problematike në arkëtimin e faturave, të cilat aktualisht shënojnë shifrën 78 për qind. Krahas mosrealizimit të objektivave të arkëtimeve, një arsye tjetër e shkarkimit të drejtorit të degës së OSSH-së Fier-Vlorë, Arqile Kumes, dhe të shefit të degës së Vlorës, Gjergji Demajt, renditet edhe niveli pakënaqshëm i investimeve në këto zona. Drejtoria e Përgjithshme e OSSH-së bën më dije se pas analizës 11-mujore, qyteti i Korçës renditet i pari për sa i përket nivelit të arkëtimeve. OSSH-ja nuk ka problem borxhesh vetëm me konsumatorët qytetarë, një nga debitorët më të mëdhenj të tij mbetet shteti. Vetëm ujësjellësit i kanë kësaj kompanie 13 milionë euro për vitin 2007-2008. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është në prag të privatizimit nga kompania çeke Cez, e cila ka ofruar rreth 102 milionë euro për blerjen e rrjetit të shpërndarjes, por deri tani marrëveshja nuk është finalizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›