E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosta Barka merr ish-postin e Gazidedes

I shkarkuar nga ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale, Barka do të ketë detyrën e nëndrejtorit të Hipotekave

TIRANË- I shkarkuar nga detyra e ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale vetëm pak kohë më parë, Kosta Barka do të zëvendësojë Bashkim Gazideden në postin e nëndrejtorit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në këtë mënyrë, Barka ka zëvendësuar ish-kreun e SHIK-ut në postin e lënë bosh pas vdekjes, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Në kohën e përjashtimit nga qeveria, Barka, ka sulmuar krerët e PBDNJ-së për mosrespektim të punës profesionale që ai ka kryer në Ministrinë e Punës. Ai ka akuzuar gjithashtu kreun e kësaj partie, Vangjel Dule, se është nisur nga interesa të ngushta personale, teksa i ka kërkuar Berishës që të shkarkojë Barkën nga posti i Ministrit të Punës. Mbështetja politike nga Kryeministri Berisha, që Barka propagandonte në media, duket se ka shfaqur rrënjët e saj. Edhe pse emërimi i ish-ministrit të Punës, është bërë nga Alibeaj, të gjitha lidhjet tregojnë se ndikimi i Kryeministrit në këtë emërim ka qenë më se i rëndësishëm. Vendin e ish-kreut të SHIK-ut, një nga njerëzit më besnikë të Kryeministrit, e zë një tjetër figurë që është propaganduar se gëzon mbështetjen e Berishës. Hipoteka, një nga institucionet e njollosura me korrupsion dhe që gëzon një besim shumë të ulët të opinionit publik, vihet tashmë në duart e njerëzve besnikë të Kryeministrit Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›