Durrës-Kukës si Gërdeci
TIRANË - Dosja “Durrës-Kukës” mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë më herët nga sa është parashikuar. Prokurori i çështjes, Arben Kraja, kërkoi dje në Gjykatën e Shkallës së Parë, që padia e të pandehurve Armand Teliti dhe Andi Toma, që kundërshtojnë vendimin e prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimit, të mos shqyrtohet në Shkallën e Parë, por në Gjykatën e Lartë, pasi çështja po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme. Ky pretendim i prokurorit Kraja u kundërshtua nga avokati mbrojtës i Telitit, i cili rikujtoi para gjykatës “gafën ligjore” të Prokurorisë së Përgjithshme me masat e sigurisë për tre të pandehurit e Gërdecit. Sipas avokatit mbrojtës, organi qendror i akuzës pak kohë më parë i kërkoi Gjykatës së Lartë që të marrë në shqyrtim kërkesën për caktimin e masave të sigurisë për tre të pandehurit e dosjes “Gërdeci”, me pretendimin se në këtë çështje është nën hetim edhe ish-ministri i Mbrojtjes, por gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, duke e çuar dosjen në Shkallën e Parë. Avokati mbrojtës argumentoi se e njëjta situatë është edhe me dosjen “Durrës-Kukës”, ku nën hetim është dhe ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, për të cilin organi i akuzës ende nuk ka marrë një vendim. Me këtë paralelizëm, avokati mbrojtës i kërkoi gjykatës të shprehet rreth kërkesës së klientit të tij mbi paligjshmërinë e zgjatjes së afateve të hetimit nga prokuroria, ndërsa gjyqtari i çështjes vendosi që ditën e sotme të shprehet lidhur me kompetencat që ka për gjykimin e kërkesë-padisë së bërë nga Armand Teliti dhe Andi Toma. Por sipas ekspertëve ligjorë, kërkesa e prokurorit të çështjes për shqyrtimin e pretendimeve të të pandehurve në Gjykatën e Lartë mund të nënkuptojë marrjen të pandehur të ish-ministrit të Transportit, Lulzim Basha, për të cilin ende nuk ka një vendim zyrtar nga ana e organit të akuzës, edhe pse prej më shumë se një viti ai është pa imunitet politik. Nga ana tjetër, kërkesa e prokurorit të çështjes për shqyrtimin e pretendimeve të të pandehurve në Gjykatën e Lartë mund të përkthehet edhe si mundësi për të fituar kohë. Duke pasur parasysh natyrën e punës së shkallës më të lartë të gjyqësorit dhe shpejtësinë me të cilën duhet të gjykohet kjo kërkesë, pasi në fillimin e muajit të ardhshëm organi i akuzës ka deklaruar se do t’i japë fund hetimit të superdosjes për abuzime të dyshuara në rrugën Durrës-Kukës, e veçanërisht në aksin rrugor Rrëshen-Kalimash, ku pretendohet se janë edhe abuzimet më të shumta. Nëse sot Gjykata e Shkallës së Parë vendos shqyrtimin e kërkesës së Armand Telitit në Gjykatën e Lartë, me shumë mundësi kjo kërkesë mund të mos kalojë asnjëherë në seancë gjyqësore, pasi procedurat e përzgjedhjes, pranimit dhe shqyrtimit kërkojnë më tepër kohë se shqyrtimi i kësaj kërkese në Gjykatën e Shkallës së Parë. Por mesa duket, Teliti dhe Toma kanë qenë të përgatitur për një situatë të tillë, pasi në të njëjtën ditë ata depozituan kërkesë për kundërshtimin e zgjatjes së afateve të hetimit në Shkallën e Parë dhe Gjykatën e Lartë. Sipas tyre, prokurori që po heton abuzimet e dyshuara në rrugën Durrës-Kukës po zgjat në mënyrë të paligjshme hetimin, pasi akuza kishte gjithë kohën e mjaftueshme për ta përfunduar hetimin e kësaj çështjeje më parë.