Edhe droga mjegull do

Trafikantët shfrytëzojnë motin për tu shpëtuar prangave. Policia kap studentin transportues
GJIROKASTËR - Vetëm mjegullën e dendur që kishte pushtuar kufirin e vendit tonë me Greqinë mund të kenë falënderuar dy të rinjtë që u shpëtuan prangave, të cilët me çanta shpine të ngarkuara me drogë po çanin vijën e gjelbër të kufirit. Vetëm njëri prej tyre, Klodian Basha, 24 vjeç, student i degës së Ekonomikut në Universitetin e Gjirokastrës, mundi të arrestohet, edhe pasi ia dha vrapit. Sasisë rekord prej 400 kg lëndë narkotike, të kapur vetëm në harkun kohor të disa ditëve, i është shtuar edhe 108 kg, që në rrethana të tjera do të ishte duke u tymosur nga përdoruesit në shtetin grek. Rreth orës 23:30 të së dielës, njësiti i shërbimit të Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kakavijë gjatë kryerjes së shërbimit, duke vëzhguar me kamera termike në zonën rreth kalimit kufitar në Kakavijë ka konstatuar tre persona përballë karburanti “Eko” që po lëviznin në drejtim të kufirit jeshil me shtetin grek. Secili prej tyre kishte nga një çantë të madhe shpine, që nuk mund të ishte e mbushur veçse me lëndë narkotike. Menjëherë efektivi blu u është afruar dhe u ka bërë thirrje të ndalojnë. Tre personat që udhëtonin në këmbë nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë, madje kanë hedhur çantat përtokë dhe ia kanë dhënë vrapit në thellësi të tokës shqiptare. “Duke përfituar nga errësira dhe nga mjegulla e dendur që kishte mbuluar një pjesë të zonës, të tre personat për gati 30 minuta kanë arritur t’i fshihen ndjekjes sonë”, thotë njëri prej efektivëve të policisë, pjesëmarrës në këtë operacion. Njësiti ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të Stacionit të Policisë Kakavijë, të cilat kanë bërë rrethimin e vendit nga u larguan tre personat. Si pasojë, në vendin e quajtur “Fabrika e Gjirofarmës” është bërë e mundur kapja e njërit prej tre personave që ndiqeshin nga efektivat blu. Klodian Basha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Qesarat të rrethit Tepelenë, student në vitin e tretë në fakultetin Ekonomik në Universitetin “Eqrem Çabej” Gjirokastër, është arrestuar në flagrancë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë konstatuar tri çanta shpine të mëdha me ngjyrë të zezë, të hedhura në një kanal në mes të fushës. Në secilën çantë kishte nga tri pako në formë katrore të mbështjella me letër natriban të tejdukshme, me peshë 12 kilogramë secila, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marihuanë. Gjithsej janë evidentuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 108 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si marihuanë”. Organet e hetimit në Gjirokastër po punojnë për kapjen e dy personave të tjerë, të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike me destinacion shtetin grek. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.
Hashashi lazaratas, stina e shpërndarjes
Ka mbaruar tashmë koha e korrjes së hashashit në Lazarat, ku mesa duket banorët e fshatit famëmadh po merrem me përpunimin dhe paketimin e lëndës narkotike, që trafikohet kryesisht në Greqi. Sipas policisë, këto ditë nuk kanë qenë të mbara për korrierët e drogës, shumë prej të cilëve jo vetëm që nuk kanë mundur të kalojnë kufirin, por për më tepër janë kthyer mbrapsht me pranga në kyçet e duarve. Tri ditë më parë, blutë e Sarandës sekuestruan në zonën e Delvinës 300 kg hashash, që dyshohet se vinte nga Lazarati dhe ishte e destinuar për tregun helen. Aleksandër Draçi, Fetah Muhameti, Arben dhe Gramoz Tahiraj e Lavdërim Tozo, të gjithë banues në Delvinë, u arrestuan nën akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike” në bashkëpunim dhe “prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municioneve”. Po kështu, në fundjavë u sekuestruan 60 kilogramë marihuanë, e cila kishte si destinacion Greqinë, ndërkohë që është çelur çështja penale për katër persona që udhëtonin me maska, për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Më 5 nëntor, Astrit Kermezo, 23 vjeç, i maskuar si polic rrugor u kap teksa transportonte 40 kg marihuanë në drejtim të Greqisë.