E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, OSSH me humbje të mëdha, shkarkohen tre drejtues në rrethe

>Humbjet në muajin dhjetor janë rritur më shumë se muajt e tjerë, duke arritur në 35.97 për qind
 Tre drejtues të agjencive elektrike në Krujë dhe në Durrës janë shkarkuar nga detyra. Shkak për shkarkimin e tre zyrtareve është bërë mosrealizimi në objektivat që OSSH-ja kishte lënë për secilën agjenci, ndërkohë që Kruja ka pasur edhe treguesit më të ulët nga pesë agjenci gjithsej që ka zona e Durrësit. Pas analizës që ka zgjatur për rreth tre orë, drejtori i përgjithshëm Sahit Dollapi ka komunikuar shkarkimin nga detyra të drejtorit të Agjencisë Elektrike të Krujës, shefit të shitjeve në këtë agjenci si dhe të kryeinxhinierit të agjencisë së Durrësit. Analiza vjetore ka pasur në fokus gjithë vitin 2008 dhe muajin dhjetor të po këtij viti. Duhet theksuar se furnizimi me energji pa ndërprerje gjatë muajit dhjetor bëri që zona e Durrësit të marrë dhe konsumojë afro 10 milionë kilovat orë energji më shumë se muajt e tjerë. Nga njëra anë rrjeti e ka përballuar me sukses rritjen e ngarkesës, por humbjet u rritën, ndërsa arkëtimet ranë krahasuar me muaj më parë. Kështu, dhjetori i vitit 2008 ka shënuar arkëtime në masën 71 për qind, nga 85 për qind që ishte si objektiv. Humbjet janë rritur më shumë se muajt e tjerë duke arritur në 35.97 për qind.
Humbjet në rrjet
Në lidhje me nivelin e humbjeve në rrjet, rekordi është vendosur në agjencinë e Krujës, e cila në dhjetor të vitit 2008 ka pasur 52.5 për qind humbje, agjencia e Fushë Krujës 47.4, ajo e Shijakut 37.4, Kavaja 31.5 dhe Durrësi 31.4 për qind. Shifrat në fjalë janë cilësuar alarmante, por nga ana tjetër kjo është justifikuar me sasinë e energjisë që ka marrë dhjetori si asnjëherë tjetër. Në lidhje me shifrat vjetore, Durrësi si zonë ka shënuar 32.2 për qind humbje në rrjet, ndërsa në vitin 2007 ka pasur 37.2 për qind. Lidhur me arkëtimet, viti 2008 është mbyllur me 66 për qind në zërin abonentë familjarë dhe 86.5 për qind në zërin abonentë privatë. Drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi është shprehur se pas analizave të hollësishme që do të bëhen në çdo zonë dhe njësi elektrike, do të rishikohen të gjitha kontratat e punës për personat përgjegjës të treguesve që nuk janë realizuar. OSSH-ja ka aktualisht 6400 punonjës në të gjithë vendin dhe të gjithë përgjegjësit që nuk kanë kryer detyrat e lëna në fillim të vitit do të ndëshkohen me masa administrative. Ai ka shtuar se nuk do të ketë asnjë falje apo tolerim për abonentët debitorët, ndërsa shumat që ata nuk i kanë paguar KESH-it do tu merren pa diskutim. Në këtë pikë, Dollapi ka përmendur edhe aktmarrëveshjen e firmosur disa ditë më parë midis OSSH-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për personat që abuzojnë me rrjetin elektrik. Personat që kapen në raste të tilla do të akuzohen për vepër penale, pas ndryshimeve që u bënë nga parlamenti në Kodin Civil.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›