Gjirokastër, dhunohen në qeli, policia hedh poshtë pretendimin e adoleshentëve
/>Dhunohen dhe mbahen në qeli pa dijeninë e prindërve, nxënësit e një shkolle të mesme në qytetin e Përmetit. Shkaku ka qenë një kompjuter i grabitur në sekretarinë e shkollës së mesme të përgjithshme Sami Frashëri, i cili ka justifikuar shoqërimin dhe më pas dhunën e ushtruar nga uniformat blu, tek adoleshentët.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, kur 13 nxënës të moshës nga 14-16 vjeç janë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë së Përmetit, duke u marrë në pyetje nga specialistët e krimeve. Pasi janë mbajtur gati dhjetë orë, nxënësit kanë deklaruar se ndaj tyre është ushtruar dhunë gjatë momenteve të marrjes në pyetje për rastin e grabitjes së kompjuterit. Ekspertët e policisë pasi kanë bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë marrë nga klasat 13 nxënës të moshës 14 deri në 16 vjeç, pasi dyshoheshin të ishin pjesëmarrës në këtë vjedhje duke i izoluar për rreth dhjetë orë në qelitë e komisariatit të policisë. Pas lirimit, adoleshentët kanë treguar se janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë. Njëkohësisht prindërit e të miturve nuk janë lajmëruar nga policia çka përbën shkelje të ligjeve dhe rregullave përfshirë edhe dhunën e pretenduar të ushtruar nga policia, shprehet një prej mësuesve të shkollës, Kujtim Hoxhaj. Ndërkaq, i kontaktuar me telefon për gazetën SOT shefi i Komisariatit të Policisë së Përmetit, Gjovalin Martincamaj ka dhënë versionin zyrtar të ngjarjes, duke mohuar kategorikisht përdorimin e dhunës tek adoleshentët nga ana e uniformave blu. Nxënësit, sipas shefit të Komisariatit të Përmetit, janë shoqëruar në ambientet e policisë për tu marrë në pyetje dhe askush nuk ka ushtruar dhunë ndaj tyre. Martincamaj hedh poshtë pretendimet se të miturit janë mbajtur për dhjetë orë rresht në dhomat e komisariatit të policisë, duke mohuar njëkohësisht edhe pretendimin e prindërve se nuk ishin njoftuar. Ai ka argumentuar se prindërit nuk kishin pse të njoftoheshin kur seancat pyetësore kanë qenë të shkurtra dhe jo dhjetë orëshe siç pretendohet.