E Diel, 1 Nëntor 2026

KRRT-ja e Durrësit miraton landfillin e mbetjeve kimike në Porto Romano KRRT-ja e Durrësit miraton landfillin e mbetjeve kimike në Porto Romano

/>Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Durrësit ka miratuar dje dy projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me investimet publike ndërkohë që pikat e tjera kishin të bënin me objekte private. Dy vendimet e miratuara ishin dhënia e lejes së ndërtimit për ndërtimin e kapsulës së izolimit për mbetjet kimike dhe godinat ku janë prodhuar ato në Porto Romano para shumë vitesh. Projekti i dytë ka të bëjë me miratimin e sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për ndërtesën e re dykatëshe të Autoritetit Portual pranë hyrjes nr 2. KRRT-ja është mbledhur në ambientet e bashkisë dhe ka vazhduar disa orë të zgjatura edhe pasdite vonë, duke shqyrtuar në total 57 kërkesa për leje sheshi dhe leje ndërtimi. Në fund ishte parashikuar edhe pika nr 58 që ka zërin "të ndryshme". Në lidhje me miratimin e lejes së ndërtimit për landfillin në Porto Romano, KRRT-ja ka dëgjuar specialistët e Ministrisë së Transportit dhe Mjedisit në lidhje me atë që parashikohet të ndodhë në muajt e ardhshëm në zonën me ndotje tepër të lartë kimike. Siç dihet, aktualisht zona në fjalë është rrethuar me mure të lartë dhe në këtë zonë janë futur rrënojat e mbetura nga kombinati kimik, depot që kanë qenë me lindan si dhe katër shtëpi banimi që ishin bërë brenda territorit të ish- kimikes pas viteve '90. Projekti për këtë zonë parashikon ndërtimin e një kapsule, në të cilën do të izolohen të gjitha mbetjet kimike, lëndët që mbetën stok si dhe rrënojat e ndërtesave që janë kontaminuar në nivel mjaft të lartë. Projekti për mënyrën se si do të ndodhë dhe zbatohet ky proces është hartuar nga njësia e menaxhimit të projektit pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Ky projekt përfshin një zonë prej rreth 4 hektarë në total dhe në të do të ndërtohet kapsula e izolimit të materialeve dhe lëndëve që vijnë nga katër zona të nxehta. Zonat e nxehta janë cilësuar: Zona e squfurit, zona e lindanit, zona e hedhurinave dhe zona e depozitimit të hedhurinave. Pas shembjes dhe grumbullimit të materialeve nga këto zona, ato do të futen në kapsulën e izolimit, e cila mendohet që me parametrat e ndërtimit të saj, të mos përbëjë më rrezik ndotje për zonën e Porto Romanos. KRRT-ja e ka miratuar në këtë mënyrë lejen e ndërtimit, duke i hapur rrugë investimit. Po kështu, pa debate është miratuar edhe investimi tjetër publik që ka të bëjë me godinën e hyrjes në Autoritetin Portual.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›