Durres Renea 3 ore negociata parandalohet krimi ne familje
Një krim brenda familjes për motive të dobëta është parandaluar nga policia e Durrësit në bashkëpunim me forcat e Reneas, duke ndaluar autorin. 49 vjeçari Flamur Smoqi , ka terrorizuar fshatin Kënetë të Komunës Gjepalaj për disa orë me kallashnikov, pasi ka kërcënuar se ai do të vriste djalin e tij, nëse ai do ti afrohej banesës në të cilën jetonin. Shkak për ngjarjen e rëndë sipas policisë e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje është bërë gjendja e rënduar psikologjike, të shkaktuar nga divorci i të birit.
Nga dëshmitarë në vendngjarje mësojmë se zanafilla e ngjarjes ka qenë martesa e djalit të tij, i cili ishte divorcuar kohë më parë nga bashkëshortja ndërsa dy ditë më parë kishte marrë vendimin për tu ribashkuar sërisht me të. Por kjo gjë e ka irrituar 49 vjeçarin mesditën e sotme i cili pas debatit familjar të krijuar ka rrëmbyer automatikun që dispononte pa leje me qëllim për të vrarë djalin e tij. Familjarët janë larguar me shpejtësia nga banesa, duke mos lejuar djalin që të afrohej. E lajmëruar nga fqinjët por edhe bashkëshortja e 49 vjeçarit , policia si dhe forca të shumta të Reneas rrethuan banesën e tij, në fshatin Kënetë Gjepalaj, i cili qëndronte me një armë në dorë në oborrin e shtëpisë, duke kërcënuar së do të vriste të birin, pasi nuk ishte dakord për vendimin e marrë . Ndërsa qëndronte në oborrin e shtëpisë Smoqi telefononte herë pas herë djalin që të afrohej në banesë, me qëllim ekzekutimin e tij. Për të bindur 49 vjeçarin i cili lëvizte lirisht në ambientet e banesës por edhe në oborrin e shtëpisë i armatosur, policisë në bashkëpunim dhe me forcat e Reneas i është dashur më shumë së tre orë negociata, kohë në të cilën përfundoj dhe ankthi i familjarëve. Pasi kanë arritur të bindin 49 vjeçarit të dorëzohej, policia ka bërë në mënyrë të menjëhershme, ndalimin e tij dhe shoqërimin për në komisariatin e policisë së Shijakut ku dhe do të përballet me akuzën e armbajtjes pa leje si dhe vrasjes së mbetur në tentativë.