Ministri Noka dhe zevendes Ndihmes Sekretari Riker tek Delta Force ne Vlore
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker, rikonfirmuan të premten në Vlorë bashkëpunimin mes dy vendeve.
Gjatë një vizite në mjediset e Njësisë së Lëvizshme Territoriale të Migracionit dhe Kufirit Delta Forcë, në Vlorë, Noka dhe Reeker shprehën nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona, që, sipas tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Në emër të Sekretares së Shtetit Hilari Rodham Klinton dhe Ambasadorit Arvizu, dëshiroj t’ju përgëzoj të gjithëve për gjithçka keni arritur, sidomos në këtë njëqindvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, këtu në Vlorën historike, e cila ka aq shumë domethënie për pavarësinë. Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura të jenë partnerë të Shqipërisë në këto përpjekje. Jemi jashtëzakonisht krenarë t’ju quajmë aleatë dhe sigurisht anëtarë të plotë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Vërtet keni dhënë kontribute të mëdha për përpjekjet tona, për ISAF në Afganistan; keni ndërmarrë reforma të mëdha në fushën e policimit si edhe për të luftuar trafikimin e personave. Të gjitha këto na kujtojnë që Shqipëria është shumë e aftë për të ndërmarrë reformat dhe ndryshimet e nevojshme për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Europian”, u shpreh Reeker.
Ministri Noka tha se Njësia e Lëvizshme Territoriale e Kufirit dhe Migracionit, Delta Forcë, “është shndërruar sot në një njësi elitë të policisë shqiptare.
Gjithashtu Reeker tha se “teksa vazhdoni në këtë rrugë, Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju, përmes ICITAP-it dhe programeve tona të tjera të ndihmës, do të duhet punë, konsensus dhe përpjekje politike për të ecur përpara dhe kemi besim që Shqipëria i ka aftësitë për t’ia dalë”.