E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perfundon impianti i ujerave te zeza ne Lezhe

Përfundon së ndërtuari impianti i trajtimit të ujërave të zeza të qytetit të Lezhës dhe Shëngjinit, tashmë mbetet vetëm lidhja e tij me sistemin magjistral të sjelljes së ujërave të zeza nga zona urbane dhe turistike.

Impianti i trajtimit të ujërave të zeza kap vlerën e 4.9 milionë Eurove, ndërkohë që rrjeti i përcjelljes së ujërave të zeza nga zona turistike e Shëngjinit dhe Lezha drejt impiantit kap vlerën e 3.4 milionë Euro.

Gjatë inspektimit në këtë vepër ministri Olldashi u shpreh se: “ Investimet në fjalë janë pjesë e një pakete më të gjërë financimesh që qeveria po bën për rajonin e Lezhës duke përfshirë këtu edhe zonën e Shëngjinit”.

Më tej ministri i Punëve Publike duke folur për investimet në këtë zonë tha se: “Janë 8.3 milionë Euro të shpenzuara për impiantin dhe kanalizimet që ndodhen në zonën e Shëngjinit, të cilave iu shtohet edhe ujësjellësi i Shëngjinit si dhe një paketë prej 13 milion Euro kontraktuar nga DPUK-ja, që përfshin një sistem për furnizimin me ujë dhe kanalizime në qytetin e Lezhës.

Në total janë 27 milion Euro për infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve përfshirë impiantin e përpunimit të ujërave të zeza, investime që do të zgjidhin përfundimisht problemin e furnizimit 24 orë me ujë si dhe atë të trajtimit të ujërave të zeza te rajonit të Lezhes si dhe zonës turistike të Shëngjinit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›