E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1 zhgenjen Alonso

Diçka e pabesueshme ndodhi në provat zyrtare të Çmimit të Italisë në Monza dhe Fernando Alonso mbeti në vendin e 10-të, kurse Ljuis Hamilton fitoi “pole position”-in dhe do të niset nga vendi i parë në garën e së dielës.
Piloti anglez i Meklaren Mercedesit la prapa gjithë të tjerët me kohën 1’24”010, ndërsa pas tij u rendit shoku i skuadrës, anglezi tjetër, Xhenson Baton, me pak më shumë se një të dhjetën e sekondit më shumë.
Në vendin e tretë, në mënyrë të papritur, doli braziliani i Ferrarit, Felipe Masa që luftoi seriozisht për vendin e parë, ndërsa pas tyre ishte një britanik tjetër, Pol Di Resta me makinën jo shumë të vlerësuar Fors India.
Në vendin e pestë u rendit shtatë herë kampioni i botës, Mikael Shumaher, me Mercedes, duke lënë prapa kampionin në fuqi, gjermanin tjetër Sebastian Fetel.
Makinat Red Bull nuk u paraqitën shumë mirë, me Fetelin pikërisht në vend të 7-të dhe Mark Ueberin vetëm të 11-in. Aspak mirë Kimi Raikonen me Lotus, vetëm i 8-ti, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Groszhan është i pezulluar pas aksidentit në Belgjikë.
Përsa i përket Alonsos, ai mbeti 1.6 sekonda pas Hamiltonit dhe diçka duhet të ketë ndodhur në Ferrarin e tij, në pjesën e tretë të provave zyrtare. Spanjolli kryeson Botërorin me 164 pikë, ndaj 140 të Fetelit, 132 të Ueberit, 131 të Raikonenit dhe 117 të Hamiltonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›