Durrës; Rikthim në plazhin e ndotur të Currilave
Plazhi i Currilave, me rërën e dikurshme aq kurative, me peizazhet aq piktoreske, ka kohë që po përjeton shpërfytyrimin nga dora e njeriut. Durrsakët tek vendi ku dikur shkonin me dëshirën e madhe, po shohin tjetërsimin pa kthim të këtij plazhi të mrekullueshëm. E gjithë zona bregdetare me një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë tashmë i ngjan një are të mbjellë me shkurre dhe barishte. Plazhi fantastik rrëzë kodrave po degradon dita-ditës. Ujërat e zeza të afro 44 familjeve informale derdhen në det. Madje disa prej tyre formojnë edhe zona, të cilat ndotin vazhdimisht ujin e detit. Mjafton servirja e këtij imazhi për të larguar përfundimisht nga ky plazh edhe nostalgjikun më fanatik. Kur duhen afro vetëm 20 ditë nga hapja zyrtare e sezonit turistik 2009, realiteti në plazhin e virgjër të Currilave mbetet skandaloz. Banorët e zonës periferike shprehen se “ndryshe nga sezoni i kaluar, ky i sivjetshmi duhet të ishte më i kompletuar dhe me masa konkrete të marra nga bashkia, e cila ka 3 vjet që deklaron se do të bëjmë rrugën e re dhe asgjë nuk ka bërë”. Gjatë viteve të tranzicionit zona bregdetare e Currilave është mbushur me objekte pa leje dhe familje të cilat kanë pushtuar edhe ish-godinat e pushimit. Mbi 44 familje të pastreha zaptuan kabinat prej kompensate, duke i përshtatur ato në banesa. Prej vitesh ata banorë jetojnë në sipërfaqe shumë të ngushta. Ndodh rëndom që në një dhomë kompensate me sipërfaqe 7 metra katrorë të banojë një familje e tërë. Syri të shikon edhe ndonjë banjo prej llamarine, tubat e së cilës zbrazen mbi rërën e plazhit. Metamorfoza 19-vjeçare ku ndërthuren problemet ekologjike, infrastrukturore dhe sociale, e ka fshirë nga harta turistike e qarkut Durrës-Krujë plazhin e Currilave. Familje të ardhura nga zona të thella të Shqipërisë “pushtuan” plazhin e vogël dhe të virgjër, të ndodhur vetëm pak kilometra në veri të Durrësit që deri asokohe mbipopullohej në verë dhe braktisej në dimër. Qysh nga viti 1992, një komunitet prej 44 familjesh e ka kthyer këtë plazh në një rezidencë të përhershme, duke e shndërruar atë zonë në një ndër lagjet më të paintegruara të periferisë së Durrësit. Ish-kabinat verore të punuara me dërrasë dhe tulla fine u përshtatën në gjithfarë trajtash me kthina, banjo apo shtesa të tjera, të cilat i kanë dhënë perlës turistike imazhin e një getoje. Të kërcënuar nga papunësia dhe nga mungesa e perspektivës shumë prej banorëve të zonës, pjesa dërrmuese e të cilëve adoleshentë, merren me peshkim nga mëngjesi në darkë. Ata u ofrojnë vizitorëve të rastësishëm oktapodë, aragosta dhe peshk të freskët, prodhime të cilat kanë vlerën e mbijetesës në një realitet mjaft të vështirë. “Nuk furnizohemi as me ujë dhe as me drita, nuk ka kanalizime dhe komuniteti i bie shkurt, duke i derdhur në det ujërat e zeza”, - u shpreh një banor. Sipas tij: “Bashkë me plazhin këtu ka dështuar edhe frekuentimi i bareve dhe restoranteve”. Zona po përballet me një ngërç ekonomik të diktuar nga mungesa e kushteve, kurse bashkia ka mbi 2 vjet që çfarë nuk kërkon për rehabilitimin e asaj zone. Një tregtar shprehet se “përmirësimi i situatës për biznesin mund të punësonte njerëz nga ky komunitet i varfër, por këtu është prishur imazhi i zonës dhe plazhit të dikurshëm ku vërshonin durrsakët”. E ardhmja e komunitetit të ri është e sigurt, në qoftë se bashkia ndërhyn për hapjen e fronteve të punës, duke presupozuar rrugën e re apo diçka tjetër. Banorët janë informalë ende, në një plazh të destinuar dikur vetëm për turizëm elitar. Pavarësisht këtij fakti ata çdo muaj i paguajnë një qera prej 1200 lekësh në muaj bashkisë, e cila ka në administrim 60 kabinat. Kontratat e banesave rinovohen çdo 6 muaj dhe asnjëri prej familjarëve nuk e di se deri kur do të vazhdojë ky ritual “gjysmëligjor”. Currilat janë shndërruar në një vend ku vetëm plazh nuk mund të bëhet këtë sezon veror. “Currilat si zonë ka luksin të vendoset në një zonë turistike elitare. Shumë prej banorëve jetojnë në ndërtesa tip kabinash plazhi që janë pronë e shtetit, por unë them që gjatë vitit 2009 këto objekte të dalin në privatizim, duke i dhënë një zgjidhje problemit të strehimit, kështu të paktën për këta njerëz do të marrë fund ankthi se një ditë mund t'i nxjerrin jashtë kabinave”, - deklaroi për “standard” kryetari i bashkisë, Dako. Banorët kanë si shqetësime kryesore problemin e strehimit dhe infrastrukturës, për zgjidhjen e të cilave bashkia ka gati projektet për rehabilitimin turistik të zonës. Ata banorë jetojnë në një nga zonat më të bukura të Durrësit, por jetën brenda saj e kanë bërë si njerëz me një mijë e një probleme, duke mos pasur ujë, drita dhe infrastrukturë. Prej vitesh kjo zonë ka marrë një zhvillim të madh, pasi u bë rruga me gjatësi 1.5 km qysh në vitin 2004, segment të cilin qeveria demokratike do ta shtrijë deri në Kallm, me synimin e krijimit të plazhit më të ri në Shqipëri. Dako tha: “Pavarësisht kushteve ku ndodhet sot zona e Currilave dhe banorët e përkohshëm të saj, ne në bashkëpunim me qeverinë kemi gati zbatimin e projekteve në tjetërsimin e infrastrukturës rrugore dhe kushteve higjenike”.