E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKPS, konferencë bashkëpunimi mes qeverisjes lokale dhe qytetarëve

Konferenca Ngritja e urave të bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe qytetarëve, organizohet nga Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë (SHKPS), në kuadër të projektit Nxitja e pjesëmarrjes qytetare në vendimarrjen lokale, në 3 bashki pilot (Rrëshen, Berat dhe Durrës), mbështetur nga Ambasada Amerikane, në kuadër të programit për Demokracinë. Ashtu si dhe në iniciativa të tjera të SHKPS, ideja e projektit lindi si rrjedhojë e eksperiencave dhe shqetësimeve të anëtarëve dhe ekspertëve të shoqatës, të cilët njëkohësisht praktikojnë në nivele të ndryshme të qeverisjes lokale apo të shërbimeve sociale në komunitet nga njëra anë, dhe nga ana tjetër si rrjedhojë e e përmbushjes së misionit të organizatës tonë, që lidhet me ngritjen e ndërgjegjes publike mbi problemet sociale që përjeton shoqëria shqiptare, artikulimin dhe adresimin nevojave të grupeve të ndryshme sociale dhe forcimin e kapaciteteve të profesionistëve të ndryshëm, dhe të punonjësve socialë në veçanti. Për profesionistët e punës sociale, qytetari do të thotë të njohësh, kërkosh dhe ushtrosh të drejtat si qytetar, ndërsa pjesëmarrja komunitare në vendimmarrje lokale shihet si një formë e ushtrimit të qytetarisë. Nëpërmjet kësaj iniciative janë trajnuar punonjës të bashkive Rrëshen, Berat dhe Durrës dhe ndërlidhësa të këtyre komuniteteve, rreth metodave bashkëkohore të vlerësimit të nevojave për ngritjen e shërbimeve dhe monitorimin e standarteve të këtyre shërbimeve, në mënyrë që këto shërbime ti afrohen qytetarëve dhe ti përgjigjen nevojave të tyre. Njëkohësisht nga vetë punonjësit e bashkive, me asistencën e ekspertëve të shoqatës, janë organizuar takime në komunitet përkatëse, me grupe të ndryshme qytetare, për të krijuar kështu një model të suksesshëm praktik të thithjes së mendimit qytetar. Të gjithë këtë ekspericnë dhe model pozitiv të bashkëpunimit, SHKPS synon ta shtrijë edhe në bashki të tjera të vendit. Në konferencë u rrahën mendime rreth problematikave që lidhen me shërbimet sociale lokale në drejtimet e mëposhtme: Megjithë përpjekjet ende nuk ka kapacitete pranë bashkive target për programimim dhe monitorimin e shërbimeve sociale, shërbimet janë kaotike dhe shpesh të dubluara, duke mos mbuluar nevojat e të gjitha grupeve, shërbimet janë të varura nga donacionet e huaja gjë e cila nuk ofron qëndrueshmërinë e tyre. Ndaj kërkohet përmirësimi i legjislacionit në lidhje me decentralizimin (aktet nënligjore), vazhdimi i mëtejshëm i delegimit të kompetencave nga pushteti qëndror drejt atij lokal, trajnimi i mëtejshëm i stafeve të bashkive, komunave dhe ndërlidhësave komunitar në lidhje me përdorimin e teknikave bashkëkohore për vlerësimin e nevojave dhe garantimin e standarteve të shërbimeve sociale lokale, të cilat synojnë gjithnjë e më tepër forcimin e demokracisë Shqiptare dhe përafrimin me standardet Europiane.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›