E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Kontroll ndaj shitjes së medikamenteve



Forcimi i mëtejshëm i politikave sociale, zgjerimi i rimbursimit do të jetë objektiv tjetër në të ardhmen i politikave për të asistuar dhe zgjeruar masën e njerëzve që përfitojnë, duke përmirësuar cilësinë e produkteve që i ofrohen publikut. Drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave në vendin tonë, Besnik Janku, thotë se me futjen e pullës së dyfishtë, do të mund të shmangen abuzimet që bëhen me medikamentet.

Ndërkohë, autoritetet e shëndetësisë thonë se tregu ynë farmaceutik është ende i varfër, ndërkohë që disa barna që nuk përdoren më nga njerëzit në vende të Evropës, janë në qarkullim në Shqipëri. Për sa i përket problemit me recetat, sipas përfaqësuesve të shëndetësisë, duhet të ketë një rishikim të ligjit për barnat.

Këto deklarata u bënë gjatë konferencës së parë farmaceutike në vendin tonë ku ishte e pranishme edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila kërkoi unifikim të tregut farmaceutik dhe përafrim me atë evropian.

Farmaceutikë

MSH, bashkëpunim me Agjencinë Italiane të Barnave

Shqipëria dhe Italia nënshkruan dje të parin memorandum mirëkuptimi për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e farmaceutikës, që konsiston në edukimin e vazhdueshëm mjekësor dhe në shkëmbimin e informacionit. Memorandumi u nënshkrua në mjediset e Ministrisë së Shëndetësisë midis drejtuesve të këtij dikasteri dhe Agjencisë Italiane të Barnave (AIF). "Memorandumi konsiston si në shkëmbimin e informacionit për barnat që vijnë në Shqipëri nga Italia, edhe në trajtimin e personelit tonë të strukturave farmaceutike, siç është Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, pranë strukturës së AIF-së", - tha këshilltari i ministres së Shëndetësisë, Elvis Kena, duke e vlerësuar këtë hap të rëndësishëm. Sipas tij, trajnimi do të shkojë nga regjistrimi i barnave deri tek inspektimi i fabrikave prodhuese ose i aktiviteteve të tjera farmaceutike. Duke u ndalur tek shkëmbimi dypalësh i informacionit, z. Kena tha: "Pala italiane do të informojë sa herë që pala shqiptare të shfaqë nevojën për profilin e sigurisë së medikamenteve, për qarkullimin apo jo në shtetin italian të tyre, për çmimin në Itali etj.". Sipas tij, pala italiane do t'i ofrojë mundësi palës shqiptare të kalojë periudha të shkurtra, të mesme apo të gjata trajnimi, pranë strukturave të veta për të parë se si punohet në një njësi autonome evropiane në drejtim të farmaceutikës, në regjistrimin e barnave, inspektimin e fabrikave dhe të aktiviteteve të tjera farmaceutikë, si dhe në drejtimet e tjera që janë të lidhura me këtë sektor.

Fëmijët e shkollës “Nobel”, festë në Shtëpinë e të Moshuarve

Fëmijët e shkollës 12-vjeçare jopublike “Nobel” festuan dje së bashku me 27 të moshuar të Shtëpisë së të Moshuarve Tiranë. “Në një kohë kur shoqëria nuk i kushton vëmendjen e duhur këtij brezi, janë pikërisht nxënësit e shkollës jopublike “Nobel”, pjesë e grupit “Taçi Oil”, të cilët paraditen e djeshme kanë organizuar një aktivitet të veçantë, ku përveç dhuratave të përgatitura nga ata vetë, tepër të bukura ishin dhe këngët dhe atmosfera festive që ata përcollën në nderim të kësaj moshe”, - deklaruan drejtuesit e shkollës. Drejtoresha e shkollës jopublike “Nobel”, Lydra Biçoku, theksoi se ky aktivitet zhvillohet nën kujdesin e drejtpërdrejtë të presidentit të shkollës, zotit Mustafa Taçi, me qëllim sensibilizimin e shoqërisë për më shumë vëmendje ndaj kësaj moshe. Sipas znj. Biçoku: “Ky aktivitet zhvillohet në kuadrin e punës edukative që ka shkolla jonë me njohjen e jetës së komuniteteve të tjera përveç moshës shkollore. Meqenëse fëmijët janë të ndjeshëm ndaj problemeve të gjyshërve, ne dhe më parë kemi bërë në shkollë një festë për gjyshërit”. Qëllimi i këtij aktiviteti, i ndërmarrë nga shkolla jopublike 12-vjeçare “Nobel”, ishte sensibilizimi i shoqërisë kundrejt moshës së tretë dhe më mirë se kushdo këtë e treguan fëmijët e kësaj shkolle.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›