Polici-Prokurori, pakt për arrestimet në kufi
TIRANE - Policia dhe Prokuroria kanë arritur në një marrëveshje të përbashkët për “stimulimin” e veprës penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Kjo marrëveshje është arritur në mënyrë që një polic kufitar të zhvishet nga përgjegjësia e shpërdorimit të detyrës në rastet kur ka dijeni për konsumimin e veprës penale, por nuk përfiton të mira materiale. Por njëkohësisht edhe për faktin se në dhjetëra raste, personat që jepnin ndihmë për të kaluar ilegalisht kufirin, nuk arrinin të arrestoheshin, pasi vepra e tyre mbetej në tentativë dhe quhej kundërvajtje penale. Pikërisht për të bërë këtë kapërcim nga kundërvajtje penale në vepër penale, prokuroria dhe policia, në bashkëpunim edhe me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, kanë arritur një konsensus për të stimuluar deri dhe kalimin e paligjshëm, në mënyrë që shkelësit e ligjit të arrestohen në flagrancë dhe jo të procedohen penalisht në gjendje të lirë. Burime nga policia thanë se në statistikat e Policisë Kufitare, janë të rralla rastet që personat e ndaluar në dogana duke dhënë ndihmë për kalim kufiri, janë arrestuar. Kjo, pasi oficeri i policisë që ka për detyrë të vulosë pasaportën, edhe në rastet kur është vënë në dijeni se po kryhet një vepër penale, nga frika se mund të akuzohet për shpërdorim detyre, parandalon konsumimin e veprës. Në këtë mënyrë vepra penale mbetet në tentativë, duke u kthyer menjëherë në kundërvajtje penale dhe personat që shkelin ligjin i shpëtojnë burgut, duke u hetuar në gjendje të lirë.
MARREVESHJA
Duke marrë shkas nga rasti i datës 5 gusht të këtij viti, kur në aeroportin e Rinasit u arrestua shqiptarja me shtetësi franceze Miranda Gomez (Luli), e cila tentoi t’i kalonte kufirin një djali 7 vjeç, policia ka marrë masa për raste të ngjashme që mund të ndodhin. Sipas burimeve nga policia, Gomez, e cila tashmë pritet të dalë para gjykatës, u arrestua nga vetë oficeri që i vulosi pasaportën e 7-vjeçarit, të cilin ajo pretendonte se e kishte djalin e saj, por që në të vërtetë po e kalonte ilegalisht për në Francë tek e ëma. Duke qenë se Gomez ishte në hetim, policia mori të gjitha masat që ajo të arrestohej në flagrancë dhe vepra penale që ajo pritej të kryente të mos mbetej në tentativë. Në këtë mënyrë në bashkëpunim edhe me SHKB, prokuroria dhe policia bënë të mundur që të bindnin oficerin e policisë që t’i vuloste pasaportën e djalit që ajo po e kalonte ilegalisht në Francë. Më pas në mënyrë që oficeri të mos hetohej për shpërdorim detyre, u urdhërua që të ishte pikërisht ai që të kryente arrestimin e saj. Një metodë e tillë, tashmë do të praktikohet për të gjitha rastet e ngjashme me atë të Miranda Gomez.