Durrës, aksident në Durrës, një i vdekur dhe tre të plagosur
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e tre të tjerëve ka ndodhur dje në Durrës. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën 68-vjeçarja Nasoje Laçi, ndodhi në Shkozet. Ndërsa të plagosur kanë mbetur shtetasit, Fiqiri Laci, Namir Gjoci dhe Sheqere Edibati. Sipas policisë, shkak i aksidenti është bërë shpejtësia e automjetit. Në momentin e ngjarjes, makina me të cilën udhëtonin tre personat, është përpjekur të shmangë kalimtaren Sheqere Edibati, ndërsa është përplasur, duke shkaktuar një të vdekur dhe tre të plagosur, ky është i dyti aksident brenda 24 orëve me viktima.
Rrëshen- Kalimash
Nga dje kufizim qarkullimi në Tunelin e Thirrës
Nisi dje nga kufizimi i qarkullimit të automjeteve në autostradën Rrëshen-Kalimash. Njoftimi u bë nga Ministria e Transporteve, 4 ditë më parë, duke sqaruar se funksionimi i Tunelit të Thirrës në këtë autostradë duke nisur nga dita e djeshme do të jetë nga ora 07:00 deri në 19:00, ndërsa do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar. Shkak për këtë kufizim të lëvizjes së automjeteve janë punimet në Tunelin e Thirrës, të cilat kanë hyrë në një fazë intensive me përforcime masive të strukturës së shkëmbit, të cilat sjellin nevojën e optimizimit të proceseve inxhenierike duke i dhënë më shumë kohë kontraktorit.
Tiranë
Prokurorja sherr me bashkëshortin, dhunohet vëllai i saj
Një sherr mes bashkëshortëve për pak ka rrezikuar të kthehet në tragjedi për një prokurore në Tiranë, burri i së cilës goditi me dru në kokë të vëllain. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në Tiranë kur një 35-vjeçare me detyrë prokurore emri i së cilës nuk bëhet i ditur për arsye etike ka kërkuar ndihmën e të vëllait pas një sherri me burrin e saj. Vëllai i prokurores nuk kishte nguruar të shkonte në banesën e saj për ta marrë me veten, por është përballur me iritimin e bashkëshortit të saj i cili e ka qëlluar atë me një dru në kokë. Teksa goditej nga kunati, i riu ka vrapuar drejt automjetit ku ndodhej motra e tij.
Athinë
Shkatërrohet rrjeti trafikut njerëzor, në pranga 9 persona
Policia greke ka vënë në pranga 9 anëtarë të një rrjeti kriminal të trafikut njerëzor. Sipas mediave greke, policia shoqëroi dhe tetë emigrantë të paligjshëm, të cilët mbaheshin në kushte çnjerëzore në një shtëpi në Nikea, në afërsi të Pireut. Gjatë aksionit u vu në pranga dhe një shtetas afgan 23-vjeçar, si dhe u shoqëruan një grup emigrantësh ilegalë nga Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani. Sipas policisë, emigrantët trafikoheshin nga grupi kriminal me anije që vinin nga Turqia për t'i vendosur më pas në një shtëpi në Nikea. Ata mbaheshin në vëzhgim nga pesë anëtarë të bandës që i keqtrajtonin në mënyrë të vazhdueshme.
22 Shtator 2009