Sot mbledhja e KLD-së, çështjet që do të diskutohen
Tiranë - Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka përcaktuar rendin e ditës për çështjet pritet të diskutohen gjatë mbledhjes së sotme. Për herë të parë në tryezën e këshillit do të ulet ministri Bujar Nishani i cili kësaj radhe do t’i duhet të mbrojë masat e propozuara nga paraardhësi i tij, Enkeled Alibeaj. Burime pranë KLD-së shpjeguan dje për gazetën “Albania” se mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në rend të ditës mësohet se janë përfshirë propozimet për masa disiplinore ndaj disa gjyqtarëve, do të diskutohet mbi numrin e ri që është përcaktuar nëpër gjykata dhe prezantimi i ministrit të ri të Drejtësisë. Vetëm pak muaj më parë Ministri i Drejtësisë, Alibeaj dorëzoi në KLD plot shtatë dosje për gjyqtarë që punojnë në gjykata të ndryshme të vendit. Dosje të veçanta kishte për dy gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës. Bëhet fjalë për bashkëshortët Rasim dhe Enkeleda Doda. Për të dyja rastet, pas masës së propozuar nga Ministri i Drejtësisë, është vendosur nga ana e Këshillit që Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të kryejë verifikimin e disa fakteve, të cilat kanë të bëjnë me aktet e gjendjes civile të gjyqtarit. Këto akte do t’i bashkëngjiten dosjes dhe do të shytohen në mbledhjen e parë që do të përcaktohet për këtë sezon. Në mbledhjen e ardhshme pritet të shqyrtohet procedimi disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Manjola Bejleri. Masa e propozuar nga Ministri i Drejtësisë për këtë gjyqtare do të shqyrtohet po në mbledhjen e parë që do të caktohet për këtë sezon për KLD-në. Procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Bujar Musta. Procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Zihni Shahu. Procedimi disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Pajtime Fetahu. Procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Taulant Tafa. Masa e propozuar nga Ministri i Drejtësisë për këta gjyqtarë do të shqyrtohen po në mbledhjen e parë që do të caktohet për këtë sezon për KLD-në.
22 Shtator 2009