Vrasja e tranvestit i ndaluar një kosovar
Luan Kondi
Tiranë – Policia ka mundur të zbardhë vrasjen makabër të një tranvestitit në qendër të Tiranës. Ajo madje e ka marrë në pyetje personin e dyshuar, i cili mësohet të jetë shprehur: “E dija se ishte femër dhe doja të kryeja marrëdhënie seksuale me të, por kur mësova se ishte mashkull mu errësuan sytë dhe e qëllova”. Burime nga policia e Tiranës thanë për gazetën “Albania” se dje ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes makabër me thikë të tranvestitit 30-vjeçar. Sipas policisë i dyshuari është Sebadin Hoxha 36-vjeç nga Prizreni i Kosovës.
Zbulimi
36-vjeçari kishte ardhur dy javë më parë në Tiranë nga Kosova dhe qëndronte shpesh pranë lulishtes te “Ushtari i Panjohur” në Tiranë ku kishte vënë re edhe tranvestitët që qëndrojnë aty në kërkim të klientëve. Kosovari i ka vënë syrin njërit prej tyre që në fakt më vonë ai do tregonte se kishte kujtuar se ishin femra. “Kristina” ishte e përzgjedhura e 36-vjeçarit për të kryer marrëdhënie seksuale dhe për pazarin kishin vendosur një shumë prej 5 euro. Kështu “Kristina” ka ndjekur nga pas kosovarin i cili kishte gjetur një vend të përshtatshëm për të kryer marrëdhënie seksuale. Por sapo janë afruar “prostituta” i kishte thënë klientit se nuk ishte femër por mashkull. Kaq ka mjaftuar që klienti të irritohet në maksimum aq sa ai vetë e ka justifikuar me vrasjen e tranvestitit. Policia ka rënë në gjurmët e autorit të dyshuar në bazë të dëshmive të tranvestitëve të tjerë të cilët deklaruan se prej disa ditësh pranë vendit ku qëndronin ata vinte rrotull një burrë. Ndërkohë që policia pohoi se autori gjatë marrjes në pyetje ka shfaqur shenja të çrregullimit mendor.
Hetimi
Policia e Tiranës, po e hetonte vrasjen e tranvestit duke u përqendruar në dy pista, atë të krimit pasionant si dhe pistën e “diskriminimit”. Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje rreth orës 22:50 në qendër të kryeqytetit, te rruga “Abdi Toptani”, përballë hyrjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve tek ish-hotel “Drini”. Krimi ndodhi jo larg pjesës së pasme të Pallatit të Kulturës, ku rëndom qëndrojnë tranvestitët shqiptarë përpiqen të gjejnë klientë. Viktima, ishte një tranvestit që thirrej si “Kristi” apo dhe “Kristina”. Policia tha se identiteti i tij i plotë ishte Petrit Lucaj, 38 vjeç nga Elbasani, banues prej vitesh në Tiranë. Ai ishte pjesë e një grupi tranvestitësh të cilët qarkullojnë në kryeqytet. Policia tha po ashtu se viktima, disa herë ishte arrestuar për vepra të turpshme në publik, kryerje të marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale por ishte akuzuar disa herë edhe si vjedhës, denoncuar kryesisht nga klientë të grupit të tranvestitëve që gjenden pas Pallatit të Kulturës. Nga hetimet e para, mësohet se ka qenë një person, të dhënat e të cilit policia refuzoi t’i konfirmojë deri tani, i cili e ka qëlluar viktimën me një mjet të mprehtë, dyshohet thikë, në pjesën e fytit. Në gjendje kritike siç ishte, viktima ka gjetur vdekjen pak minuta më vonë, ndërsa po transportohej në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës.
22 Shtator 2009