E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, Alban Ylli: ”Mbërritja e vaksinës në dorë të qeverisë”

ISHP do të kërkojë pajisjen e të gjitha shkollave me mjek ose infermier. Gati fletëpalosjet për nxënësit si të parandalojnë prekjen nga virusi

Emanuela Sako

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka asnjë masë konkrete për sigurimin e vaksinës kundër gripit të derrit. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli u shpreh për gazetën “Albania” se për sigurimin e vaksinës kundër gripit pandemik do të merret qeveria. Do të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë fonde për blerjen dhe hyrjen në bisedime për sigurimin e vaksinës. Sipas tij, vaksina pritet të dalë në treg në muajt nëntor – dhjetor, por që ajo do të mund të sigurohet në fillim nga vendet e zhvilluara të botës. Çka do të thotë që vendi ynë nuk dihet se kur do të pajiset me vaksinën që do të parandalonte përhapjen e virusit A/H1N1. Muaji shtator dhe tetor përbën valën më të nxehtë të përhapjes së virusit të gripit të zakonshëm dhe atij pandemik, për shkak të ndryshimit të temperaturave. Ndër masat e marra nga institucionet shëndetësore për parandalimin e virusit, do të jetë marrja e vaksinës kundër gripit të zakonshëm.
Shkollat
MSH-ja parashikon marrjen e masave në shkolla, ku deri më tani janë kryer takime të specialistëve të shëndetit publik me përfaqësuesit e sistemit shëndetësor në shkolla, mjekë dhe infermierë. Situata paraqitet e vështirë pasi jo të gjitha shkollat kanë në strukturën e tyre personel shëndetësor. Kështu, monitorimi do të jetë më i vështirë dhe do të kryhet nga specialistët e higjienës në terren. Ata do të monitorojnë kushtet higjienike dhe përhapjen e infeksioneve respiratore në të gjitha shkollat e mesme dhe 9-vjeçare. Ndërkohë që ISHP dhe Ministria e Shëndetësisë po përgatisin spote publicitare dhe broshura të reja për informimin kundër përhapjes së virusit pandemik.
Masat
Ministria e Shëndetësisë publikoi pak ditë më parë masat që do të merren për parandalimin e gripit të derrit në shkolla. Të vetmet masa ndaj virusit A/H1N1 në shkolla, të cilat do t’i paraprijnë parandalimit të përhapjes së tij, do të jenë raportimi i vazhdueshëm i gjendjes shëndetësore të nxënësve, mungesat e tyre si dhe arsyet, pranë autoriteteve të shëndetësisë. Ndërkohë do të shpërndahen fletëpalosje në shkollat 9-vjeçare si për nxënësit ashtu dhe për prindërit. Dritan Ulqinaku, specialist infeksionist, në ISHP thotë se do të ketë monitorim të vazhdueshëm të situatës nga të gjitha strukturat, por duhet të jenë dhe vetë nxënësit, që duhet të ruajnë higjienën në ambientet ku mësojnë. “Janë masa të thjeshta, e rëndësishme është që ne duhet të tregojmë kujdes, si Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, për të parë mbarëvajtjen e procesit arsimor. Këtu nënkuptohet shëndeti i nxënësve, numri i mungesave dhe kushtet higjienë-sanitare që shkollat duhet të kenë. Pra, kuptohet uji i kontrolluar, dhe detergjent të zakonshëm”,- shprehet Ulqinaku. Përsa i përket situatës epidemiologjike, në vendin tonë numri i të prekurve nga A/H1N1 mbetet 31 persona, ndërkohë që pritet të bëhen publike analizat e 9 personave të dyshuar, nëse janë të prekur nga gripi pandemik, ose jo.

Box

Të dhëna mbi virusin
Grupmosha: 4 raste 15-24 vjeç, 10 raste 25-44 vjeç, 2 raste 45-59 vjeç
Shumica e rasteve i përkasin moshave aktive dhe deri tani asnjë rast nuk është vënë re në moshat e vjetra apo ato nën 14 vjeç
Gjinia: 10 meshkuj dhe 6 femra, plus 4 rastet e reja
Vendbanimi: Tirana - 11 raste, Durrës - 4 raste, Saranda -1 rast
Paraqitja në spital: Janë paraqitur 13 raste dhe janë shtruar në spital 8 raste
Pranë Departamentit të Sëmundjeve Infektive në QSUT janë paraqitur 8 raste

Shenjat dhe sindromat klinike:

Kolla ka qenë e pranishme në të gjitha rastet dhe në 5 raste është vënë re kollë me gëlbazë
Dhimbje fyti apo rrjedhje hundësh kanë qenë të pranishme në të gjitha rastet
Temperatura kryesisht mbi 38ºC ka qenë e pranishme në të gjitha rastet
Vështirësi në frymëmarrje në 2 raste
Rinofaringit si dhe riniti apo faringiti kanë qenë të pranishëm në 12 raste
Trakebronkiti është vënë re në 6 raste
Bronkiti difuz i pranishëm në 2 raste
Bronkopneumoni intersticiale në 2 raste
Insuficiencë respiratore akute në 1 rast

Trajtimi
Në dy raste me vështirësi në frymëmarrje është vënë re rëndim i menjëhershëm i frymëmarrjes dhe hipoksi
Kolla është shenja klinike, e cila është zhdukur më me vonesë duke arritur deri në tre javë pas fillimit të shenjave të sëmundjes
Tamiflu është përdorur në 4 raste
Përdorimi i Tamiflusë ka përmirësuar menjëherë shenjat e sëmundjes, kur është përdorur menjëherë në ditën e dytë apo të tretë të fillimit të këtyre shenjave
Rastet kanë qenë pa temperaturë në përgjithësi pas ditës së tretë të sëmundjes përveç rasteve që kanë pasur bronkopneumoni intersticiale dhe bronkiti difuz bilateral
Tamiflu është përdorur në ato raste kur ka pasur komprometim të sistemit respirator si trakebronkit, bronkiti difuz bilateral dhe bronkopneumoni intersticiale
Dy raste që kanë pasur si sëmundje shoqëruese diabetin, kanë paraqitur forma të rënda të sëmundjes, si bronkopneumoni intersticiale dhe insuficiencë respiratore
Në një rast me bronkopneumoni intersticiale, Tamiflu është përdorur për 7 ditë, duke sjellë përmirësim të shenjave klinike të sëmundjes
Në 2 raste të tjera Tamiflu është përdorur për 5 ditë
Antibiotikoterapia është përdorur në 12 raste, kryesisht me ato me kompromentim të sistemit respirator si edhe në disa raste me rinofaringit

A/H1N1, rreth 200 raste të dyshuara në të gjithë vendin
Rritet numri i të dyshuarve me virusin e gripit të derrit në vend. Rreth 200 raste të dyshuara me virusin A/H1N1 ende nuk kanë marrë përgjigje nga laboratori i Bukureshtit. Problematike për situatën e krijuar janë vonesat që hasen në përgjigjet për rastet e dyshuara me gripin e derrit. Sipas Doktor Pëllumb Pipero përgjigjet e analizave nga laboratori i Bukureshtit, të cilat vijnë për dy javë, shërbejnë vetëm për statistika pasi pacientët janë të shëruar, kur vijnë përgjigjet e analizave. “Konfirmimi për virusin A na vjen në kohë. Por kemi ngërç të madh në konfirmimin e H1N1 nga Rumania Ende është një numë ri madh mostrash, rreth 200 rezultatet e të cilave nuk kanë ardhur ende Ardhja e përgjigjeve 1, 2 apo 3 javë nga Rumania nuk na ndihmon sepse mjekimi i këtyre rasteve e fillojmë herët, që në orët e para të vizitës dhe mjekimi fillon 24- 48 orët e para, më vonë efikasiteti i mjekimit është i neglizhueshëm, nuk është real, ndaj dhe ardhja e përgjigjeve nga Rumania ka vetëm vlerë statistikore. Në të gjitha rastet tona janë mjekuar të sëmurët me tamiflu dhe përgjigja ka ardhur pas dy javësh pacienti ka qenë i shëruar Konfirmimi nga laboratori i Rumanisë sa kohë ne nuk kemi laboratorin tonë ka vetëm vlerë statistikore tani e tutje nuk ka asnjë vlerë për klinikat“,- theksoi mjeku Pipero. Përsa i përket vaksinës ndaj virusit A/H1N1, Pipero thotë se vaksina ka efikasitet deri në 96%. “Janë testuar 4 vaksinat e para të cilat në tetor hyjnë në qarkullim, vaksinat japin një mbrojtje jashtëzakonisht të mirë mbi 96 % në moshat e reja dhe 70- 76 % në moshat mbi 60 vjeç. Mjafton një dozë e vetme për të dhënë imunizim të plotë, jo dy doza. Janë bërë disa llogari për personat e riskut”,- vijoi mjeku infeksionist Pipero. Aktualisht në Shqipëri janë 31 raste të konfirmuara me gripin e derrit, ndërsa situata paraqitet më e qetë.

Virusi, numri më i lartë i viktimave në Britani

Britania e Madhe vazhdon të mbajë vendin e parë të viktimave të shkaktuara nga virusi A/H1N1 në Europë. Në Britani kanë humbur jetën 78 persona nga 157 në total, çka do të thotë më shumë se gjysma. Në Spanjë numri i viktimave është 32, në Francë 5, dhe më pas vijnë Hollanda me 4, Malta, Norvegjia e Greqia me nga 3, ndërsa Belgjika, Hungaria, Luksenburgu dhe Italia me nga një viktimë. Pritet që numri i personave të prekur dhe të viktimave të rritet në ditët në vazhdim për shkak të ndryshimit të temperaturave dhe ftohjes së motit. Të gjitha vendet presin daljen e vaksinës në treg dhe shpërndarjen për kategoritë në risk, të cilat janë të parat që do ta marrin vaksinën.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›