Greqi-Maqedoni, Rehn: “Zgjidhja për emrin është e mundshme”
Komisioneri europian për zgjerim, Oli Rehn shprehu bindjen se është e mundur të gjendet zgjidhje për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. “Sigurisht që është e mundur të gjendet zgjidhje për disa çështje bilaterale, siç është kontesti kufitar bilateral midis Kroacisë dhe Sllovenisë, ose kontesti rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë”,- deklaroi Rehn në një konferencë për mediat në Bruksel. “Secilës prej këtyre çështjeve duhet t’u qasemi ndaras, së bashku me vendet e prekura, që t’i heqim pengesat dhe në këtë mënyrë të realizojmë përparim në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”,- tha Rehn pas takimit të rregullt mujor të shefave të diplomacive të Bashkimit Europian.
Afganistan
Shqetësime për sigurinë në zgjedhje
Emisari i Kombeve të Bashkuara për Afganistanin është shprehur i shqetësuar në lidhje me pengesat eventuale që mund të shkaktohen nga një valë sulmesh të militantëve talibanë në zgjedhjet presidenciale në muajin e ardhshëm. Kreu i misionit asistues të Kombeve të Bashkuara në Afganistan, Kai Aide, tha se është i shqetësuar se pasiguria mund të mbajë afganët larg kutive të votimit në zgjedhjet e dyta presidenicale në Afganistan më 20 gusht. Komentet e Aides erdhën pas plagosjes së menaxherit për fushatën zgjedhore të kandidatit, Abdullah Abdullah, dhe vrasjes së shoferit të tij.
Pakistan
Lirohen fëmijët e zënë nga talibanët
Zyrtarët pakistanezë njoftuan se forcat e sigurisë kanë shpëtuar disa fëmijë, të cilët ishin rekrutuar me forcë nga talibanët, me qëllim që të përdoren si luftëtarë apo sulmues vetvrasës. Gjgnerallejtnant, Nadim Ahmed, i tha televizionit shtetëror të Pakistanit se nëntë djemë të liruar, që po mbaheshin nga talibanët, ishin “trajnuar për sulme vetvrasëse”. Ai tha se fëmijët u janë nënshtruar vlerësimeve psikologjike dhe rehabilitimit. Forcat pakistaneze po luftojnë talibanët në disa zona përgjatë kufirit me Afganistanin.
Bagdad
Robert Gejts arrin në Irak
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts arriti në Irak, në një vizitë të paparalajmëruar. Një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve se zoti Gejts, do të kërkojë nga komunitetet shiite, sunite dhe kurde të Irakut, që t’i zgjidhin dallimet politike para tërheqjes së plotë së trupave të Shteteve të Bashkuara, deri në fund të vitit 2011. Sekretari amerikan i mbrojtjes u takua me kryeministrin irakian, Nuri al-Maliki dhe me ministrin e mbrojtjes, Andel Kader Jasim. Zoti Gejts arriti në bazën ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Talill, në jug të Irakut, pasi vizitoi Izraelin dhe Jordaninë.
29 Korrik 2009