Durrës, arrestohet adoleshenti që preu në fyt shitësen e butikut
Policia e Durrësit ka arritur të vërë në pranga adoleshentin 15- vjeçar, që ka grabitur e më pas i ka prerë fytin me thikë shitëses së një dyqani rrobash. 15- vjeçari A. T. është banor i zonës së plazhit në Durrës, e pikërisht i lagjes 17. Sipas policisë, A. T. është arrestuar për shkak se ka shkuar në një Butik që ndodhet në lagjen nr. 13 Plazh dhe pasi ka plagosur rëndë me thikë në fyt shitësen, ka vjedhur shumën prej 6.000 lekë të reja dhe një palë atlete dhe është larguar.
Në lidhje me ngjarjen, u kryen menjëherë veprimet hetimore dhe pas një pune intensive të mirëorganizuar e u arrit brenda një kohe të shkurtër identifikimi i autorit. Seksioni për Krimet kundër Pronës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës bënë të mundur kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje si dhe u bllokuan në cilësinë e provës materiale thika me të cilën u krye krimi, sasia e lekëve të vjedhura në butik si dhe atletet, të cilat u gjetën gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit. Ngjarja në fakt ka rezultuar tragjike për shitësen e këtij dyqani pikërisht ditën ndërkombëtare të gruas në 8 mars. Burimet policore kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 në dyqanin që gjendet në krahun e djathtë të rrugës në plazh. Adoleshenti ka kërkuar të vjedhë lekët që kanë qenë gjendje në arkën e dyqanit, ndërkohë që kanë tentuar të rrëmbejë edhe disa rroba, duke qenë se ato kanë qenë firmato dhe të markave të njohura. Shitësja e dyqanit ka reaguar ndaj këtij veprimi dhe e ka kundërshtuar këtë veprim duke tërhequr nga dora e adoleshentit rrobat, por në këtë moment ajo është qëlluar me thikë. Megjithëse në fillim ka qenë një kërcënim, shitësja është prerë në fyt dhe kjo ka bërë që të shkaktohet një gjakrrjedhje e menjëhershme. Pas largimit të autorit shitësja është dërguar në urgjencën e spitalit të Durrësit, ku mjekët e kanë dërguar menjëherë në sallën e operacionit. Burimet spitalore pohuan se gjendja shëndetësore e gruas e ka kaluar rrezikun për jetën, por pas daljes nga operacioni ajo është futur në sallën e reanimacionit. Mjekët që kanë pritur urgjencën kanë vërejtur se V. J. kishte marrë një të prerë të thellë në grykë dhe se gjatë transportit nga Plazhi deri në spital kishte humbur shumë gjak. V. J. nënë e dy fëmijëve ishte 40 vjeçe dhe punonte prej kohësh shitëse në këtë butik, por pikërisht në 8 mars është bërë pre e një adoleshenti kriminel, që për pak i mori jetën me qëllim që t'i grabiste dyqanin.