E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, arrin në dy numri i të vdekurve nga aksidenti

Njëri prej të lënduarve ka ndërruar jetë në spital, ndërsa nën vëzhgimin e mjekëve ndodhen edhe tre të plagosur. Ngjarja ndodhi kur dy automjete u përplasën midis tyre, duke lënë fillimisht një të vdekur.

Policia lokale bëri të ditur se katër nga pesë të aksidentuarit kanë qenë kalimtarë dhe janë goditur nga kamionçina e përfshirë në aksident. Ndërkaq sot në orët e para të mëngjesit forcat e policisë kanë ndaluar 21-vjeçarin Shkëlzen Hoxha, drejtues i kamionçinës së përfshirë në përplasjen me autoveturën e drejtuar nga Mitat Gjoka.

Mbrëmjen e kaluar 21-vjeçari, menjëherë pas aksidentit, braktisi automjetin dhe u largua nga vendngjarja. Sipas burimeve të policisë, përveç 70-vjeçarit Bajram Anelli, që humbi jetën pak minuta pas aksidentit, gjatë natës në spitalin rajonal të Durrësit ka ndërruar jetë edhe 49-vjeçari Ali Burimi.

Duke saktësuar dinamikën e aksidentit burimet thanë se kamionçina është përplasur me autoveturën dhe më pas ka dalë në krahun e kundërt të rrugës, duke dëmtuar rëndë dy viktimat si dhe dy persona të tjerë, Gëzim Nano dhe Xhemali Çulhaj, që të gjithë kalimtarë dhe banorë në fshatrat pranë Hamallajt. I dëmtuari tjetër, Xhevit Xhija, 60 vjeç, udhëtonte me autoveturën me targa të Durrësit. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-09-16 09:55
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›