E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, banorët e Gjirit të Lalzit në protestë: Po na zaptojnë tokën

DURRES- Dhjetra banorë të fshatit Shën Pjetër në Gjiun e Lalzit protestuan sot kundër një vendimi sipas të cilit disa subjekteve private iu jepen rreth 55 ha tokë në bregdet.

Banorët pretendojnë se vendimi është i paligjshëm për shkak se ata janë pronarë të kësaj sipërfaqeje madje të shoqëruar edhe me certifikata pronësie apo me vendime gjyqësore.

Ka disa ditë që një firmë ende e panjohur ka nisur rrethimin e një sipërfaqeje të madhe ku përfshihen pishat dhe rëra e detit.Disa banorë të zonës thonë se kanë të bëjnë me një firmë arabe.

Banorët kanë bllokuar rrugën për në zonën turistike të Gjirit të Lalzit duke kërkuar largimin e gardheve që ka vendosur një firmë private për të ndërtuar një objekt në këtë zonë.

Sipas tyre, zona në fjalë i është dhënë nga shteti një firme private, e cila synon të ndërtojë një kompleks turistik aty. “Ne disponojmë tapitë e tokës. Ajo është e jona dhe askush nuk mund të ndëtojë në të.”, thonë banorët në një prononcim për NEWS24, duke bërë thirrje “kryeministrit të ndërhyjë”

Historia fillon 3 vjet të shkuara kur u rrethuan 40 ha zonë me pisha. Banorëve, atëhere, iu tha se rrethimi është kryer për të mbrojtur zonën nga abuzimet.Por gjatë ditëve të fundit rrjetat e telit po rrethojnë edhe rreth 15 hektarë të tjerë duke nxjerrë nga pronat e tyre 40 pronarë të ligjshëm të cilët janë banorë të kësaj zone. Këta të fundit akuzojnë qeverinë e Tiranës se fshihen pas firmës arabe e cila ju ka pushtuar trojet.

Banorët paralajmërojnë protesta të pandalshme dhe kërkojnë ndihmën e kryeministrit për ti dhënë fund kësaj historie. Tashmë ata nuk kanë mundësi as të dalin për të bërë plazh pasi rrugët e kalimit janë të zëna.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Durrës, banorët e Gjirit të Lalzit në protestë: Po na zaptojnë tokën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›