Durrës, debat për shkollën, i jep fund jetës 14-vjeçari
DURRES - Një 14-vjeçar durrsak i ka dhënë fund jetës së tij duke shkrehur në tëmth pistoletën e babait. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Shkozet” të Durrësit. B.Biba, nxënës i shkollës 9-vjeçare “Hasan Koçi”, pas një debati me të ëmën për punë mësimesh, ka hapur fshehurazi kasafortën ku babai i tij ruante armën e shërbimit dhe me gjakftohtësi është vetëflijuar. Krisma e mbytur ka alarmuar pjesëtarët e tjerë të shtëpisë, të cilët me të hapur derën e dhomës së vogëlushit, janë përballur me trupin e pajetë të mbytur në gjak. Djali qëndronte mbi krevatin e tij pa lëvizur, ndërkohë që arma, një pistoletë e llojit “TT” i kishte shkarë në dysheme. Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë e vetme. Adoleshenti ka shfrytëzuar momentin kur babai i tij, Beqir Biba, një polic i vjetër i Postës së Golemit, nuk ishte në shërbim. Ai e dinte mirë vendin ku i ati ruante armën e shërbimit. Sedra e tij ishte rënduar së tepërmi pas debatit me mamanë. Burimet policore saktësojnë se konflikti ka lindur nga dëshira e vogëlushit për të braktisur shkollën, pas rezultateve jo të pritshme në mësime. Por rezistenca e së ëmës ndaj kësaj dëshire të vogëlushit ka qenë e madhe. Ajo nuk e ka toleruar aspak vullnetin e fëmijës, duke mos i dhënë atij alternativë tjetër veç shkollës. Në kulmin e dëshpërimit, B.Biba ndërmerr aktin e tmerrshëm. Asnjë veprim i tij nuk ka rënë në sy të familjarëve. Askujt nuk mund t’i shkonte ndërmend që ai diskutim në pamje të parë krejt normal, do të kishte një fund kaq tragjik. Kështu ndodhi deri në orën 18:15 minuta, kur në shtëpinë e familjes Biba u dëgjua një krismë e mbytur pistolete, e cila erdhi nga dhoma e gjumit. Vogëlushi kishte marrë një plagë fatale dhe çdo ndërhyrje për ta risjellë në jetë do të ishte e kotë. Beqir Biba, i ati i viktimës është një ndër policët më të respektuar në Durrës. Vitet e fundit ai shërbente në stacionin policor të Golemit. Ai ishte baba i tre fëmijëve. Djali i tij i rritur është emigrant në Itali, vajza 17-vjeçare studion në Durrës, ndërsa 14-vjeçari ishte fëmija i fundit i bashkëshortëve Biba. o.u
Korçë, varet i akuzuari për vrasje
KORÇE – Var veten në qelinë e burgut i akuzuari për vrasje. Bashkim Muçka, 56 vjeç, i cili ndodhej në qelitë e burgut të ri të Korçës prej muajit tetor të vitit të shkuar, është gjetur pajetë mesditën e djeshme. Me çarçafin e dhomës së tij është varur në dritaren e qelisë ku mbahej i izoluar për vrasjen e shokut të tij kambist, Beqir Basha, ngjarje e ndodhur në qytetin e Pogradecit. Duket se pendimi për krimin ka shkaktuar dhe depresionin, me pasojë vetëflijimin e Muçkës. Viktima u gjet i varur nga një prej rojeve të sigurisë, pa asnjë shenjë jete. Një grup hetimor ka nisur punën për të zbardhur rrethanat e vetëflijimit, që shënon dhe ngjarjen e parë të rëndë pas nisjes së funksionimit të burgut të ri. j.gj