E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Elton Deliut, hapen dosjet e atentateve pa autor

 

Trazhgim Sokolaj

Hetuesit e Prokurorisë së Tiranës zbardhin një prej enigmave kryesore të vrasjes së Elton Deliut. Pas dy javësh hetimesh intensive, organi i akuzës ka mësuar shkakun përse ekzekutorët zgjodhën të vrasin biznesmenin 32-vjeçar brenda në banesë së bashku me nënën e tij. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, Flutura Deliu, nëna 52-vjeçare e Elton Deliut, dyshohet se ka qenë pjesë e planit të ekzekutimit dhe jo një vrasje për të zhdukur viktimën si dëshmitare e atentatit ndaj djalit të saj. “Nga dëshmitë dhe provat e administruara në dosjen, që bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Perlat Rexhepi” rreth orës 15:30 të datës 27 dhjetor 2008, rezulton se autorët kishin planifikuar vrasjen e dy viktimave. Pista kryesore në të cilën po hetohet është ajo e hakmarrjes për disa ngjarje të 10-vjeçarit të fundit në Tiranë, ku besohet se është përfshirë edhe viktima Elton Deliu, person me precedentë të shumtë penalë. Bëhet fjalë për disa vrasje dhe përplasje me armë”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit. Sipas tyre, nëna e 32-vjeçarit i qëndronte gjithnjë pranë të birit në aktivitetet e tij dhe kjo duket se është bërë shkak për eliminimin e saj në shenjë hakmarrje ndaj të dyve.
Hapen dosjet e atentateve
Viktima e atentatit të ndodhur në katin e gjashtë të pallatit pranë Gardës së Republikës në zonën e ish-bllokut në Tiranë edhe më parë ishte bërë objekt sulmesh me armë. Në mars 2006 policia e kryeqytetit shpalli zyrtarisht se kishte arrestuar dy persona, të cilët në korrik 2005 kishin tentuar të vrisnin me armë Elton Deliun. K.Kodra dhe E.Bakalli ishin personat që u ndaluan në atë kohë nga forcat speciale të RENEA-s ndërsa policia deklaroi se konflikti mes të dyshuarve dhe Elton Deliut kishte lidhje me trafikun dhe shpërndarjen e narkotikëve. Edhe më parë, në vitin 1998, kur Elton Deliu ishte vetëm 22 vjeç, disa persona kishin tentuar ta vrisnin atë me armë, në kohën që lëvizte në kryeqytet së bashku me disa miq. Pavarësisht personave të dyshuar për këto dy atentate, Prokuroria tha se dosjet e këtyre dy ngjarjeve kanë mbetur pa autorë. Si rrjedhim në kuadër të hetimit për vrasjen e Elton Deliut, Prokuroria e Tiranës konfirmoi se ka rihapur dosjet e dy atentateve për të verifikuar më mirë personat, që tentuan të vrisnin biznesmenin dhe për të parë më tej nëse vrasësit kanë qenë persona të njëjtë edhe në vrasjen e dyfishtë të fundvitit të kaluar.

RENEA “arrestoi” dy atentatorët e Deliut

TIRANE – Më 1 mars 2006 forcat speciale të policisë, reparti RENEA zhvilluan një aksion në zonën e Kavajës, ku u arrestuan K.Kodra dhe E.Bakalli. Ata kërkoheshin që nga korriku 2005 kohë kur sipas policisë kishin tentuar të qëllonin me armë zjarri Elton Deliun që kishte arritur të shpëtonte mrekullisht. Në atë kohë, policia deklaroi se shkak i përplasjeve mes të dyshuarve dhe biznesmenit Deliu ishin pazaret e trafikut të drogës. Një pistë e cila qëndroi në hetim edhe pas vrasjes së 32-vjeçarit në shtëpinë e tij në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Mënyra e ekzekutimit të krimit si dhe precedentët e shumtë penalë të Elton Deliut u bënë shkak që policia të dyshonte tek një atentat i mirorganizuar dhe i kryer nga profesionistë, që arritën të zhduknin edhe disqet e regjistrimit të kamerave që ishin vendosur nga viktima tek pallati ku banonte Elton Deliu. Persona të njohur nga policia për aktivitetin e tyre në fushën e narkotikëve kishin bërë tentativa për eliminimin e Deliut, madje disa herë duke ndjekur automjetet me të cilat ai lëvizte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›