Studentja plagos ish të dashurin
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Studentja plagos ish të dashurin, në mes të auditorëve të universitetit të Vlorës. Me një bisturi që kishte në çantë, Lediana Zeka, 20 vjeçe, qëlloi në fyt moshatarin e saj, Klaudio Kamberi. Atij iu shpëtua jeta pas ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, ndërsa studentja rrëfeu në polici se e kishte bërë për vetëmbrojtje. “Më kërcënonte shpesh, se donte lekë për të blerë drogë”, ka dëshmuar e reja. Ngjarja ka ndodhur mes një numri të madh shokësh të tyre, rreth orës 12:00 të ditës së djeshme. Dy të rinjtë, banorë të Vlorës, ndiqnin degën “Teknologji Informacioni e Informatikë”. Sipas dëshmitarëve, ata kanë nisur debatet me zë të lartë fillimisht në klasën C 101 të godinës së re të universitetit “Ismail Qemali”. Pas rreth 30 minutash ora ka mbaruar dhe studentët kanë dalë jashtë në korridore. Megjithatë mes Kamberit dhe Zekës sherri nuk është ndërprerë. Mes tyre janë lëshuar fjalë fyese dhe pse pranë ndodheshin dhjetëra studentë të tjerë. Në një moment mësohet se Klaudio e ka qëlluar në faqe me pëllëmbë 20-vjeçaren. Menjëherë pas këtij veprimi, studentja ka nxjerrë nga xhepi i xhupit një mjet të mprehtë, që sipas policisë ishte bisturi e me të ka qëlluar në qafë djalin. Bisturia i ka shkaktuar dëmtimin e damarëve të riut. E tronditur pas këtij veprimi, vajza është larguar me shpejtësi, duke i rënë dhe çanta nga duart. I plagosuri është dërguar nga shokët e tij menjëherë drejt spitalit rajonal të qytetit të Vlorës, ku i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal për disa orë. Sipas mjekëve studenti është paraqitur në gjendje të rëndë në spital, pasi kishte hemorragji të madhe, por pas ndërhyrjes kirurgjikale ka kaluar rrezikun për jetën. Policia e ardhur në vendngjarje ka gjetur çantën e vajzës dhe ka kryer veprimet hetimore dhe marrë në pyetje dëshmitarët. Shumë prindër të trembur nga ajo çfarë kishte ndodhur kanë shkuar në mjediset e universitetit, derisa kanë mësuar mbi ngjarjen.
Ndonëse ka qenë i shpejtë identifikimi i autores së plagosjes, vetë ajo është dorëzuar në komisariat një orë më vonë, bashkë me bisturinë. E pyetur në polici se pse e kishte kryer plagosjen, me lot në sy dhe e tronditur studentja është përgjigjur se nuk mund të duronte dot më ofendimet që i bëheshin nga Klaudio. “Më kërkonte çdo javë nga 40 mijë lekë për të blerë drogë dhe kur nuk i jepja më ofendonte”. Ajo mësohet se është shprehur që kjo situatë vazhdonte prej kohësh, ndonëse të dy nuk ishin më të dashur. “Ai pinte drogë, nuk e duroja dot më. Kishim më se një muaj që ishim ndarë dhe përsëri ziheshim çdo ditë. Pas ndarjes i kërkova të më linte rehat, por Klaudio filloi prapë. Sot gjatë grindjes ai më qëlloi me grusht dhe unë për t’u vetëmbrojtur e qëllova me bisturinë që kisha me vete. S’kisha ndër mend ta vrisja, doja vetëm ta trembja që mos të më bezdiste se më nxiu jetën”. Policia pret që të marrë në pyetje dhe 20-vjeçarin për të mësuar dëshminë e tij mbi këtë ngjarje. Pas dëshmisë së dhënë nga vajza, ajo u la e lirë në mbrëmje, ndërsa do hetohet me akuzën e “plagosjes së rëndë në kushtet e vetëmbrojtjes”.