E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikime dokumentesh te “Kafja e Rremës”

 

TIRANE- Një bazë e falsifikimit të kartave të huaja të identitetit, dokumenteve dhe vulave zyrtare është zbuluar dje nga policia e kryeqytetit. Ylli Brahimllari është arrestuar me akuzën si falsifikator i këtyre dokumenteve të bllokuara, të cilat u gjetën në një banesë në Tufinë, pranë vendit të quajtur “Kafja e Rremës”. Operacioni u zhvillua pasditen e djeshme nga policia e Tiranës, e cila ka ndërhyrë duke kryer arrestimin e Brahimllarit kur ai po kryente falsifikimin e dokumenteve. Gjatë kontrollit të banesës, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme vulash e dokumentesh, mes të cilave karta identiteti greke dhe italiane. Burimet e policisë kanë pohuar se baza shërbente për falsifikimin e pasaportave, certifikatave dhe vulave. Blutë kanë sekuestruar 90 vula të institucioneve të ndryshme në Tiranë si dhe 200 certifikata false. Hetuesit mësohet se kanë kapur një sasi të konsiderueshme pasaportash, kartash identiteti, stampa për viza “Shengen” etj. Operacioni ka nisur dje pasdite nga policia e Tiranës, e cila prej disa javësh përgjonte falsifikatorin. Ai është kapur në flagrancë pasi agjentët e policisë ishin informuar për veprimet e tij, ndërsa pas arrestimit atij iu komunikua akuza “falsifikim i dokumenteve zyrtare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›