E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Spiunët” studentët peticion presidentit

14/01/2009  Elbasan, mblidhen 100 firmat e para si kërkesë për firmosjen e ligjit të dosjeve

ELBASAN- Studentët e Universitetit të Elbasanit i janë bashkuar peticionit, duke nënshkruar kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës për miratimin e ligjit të dosjeve. Iniciativa e drejtuar nga Unioni Studentor ka vazhduar në ambientet e universitetit, ku gjatë gjithë ditës janë grumbulluar firmat e studentëve pro këtij peticioni. Unioni Studentor në Elbasan ka deklaruar se mbështetja për peticionin është bërë me ndërgjegjen e të rinjve, që kërkojnë vënien në vend të drejtësisë dhe të largimit të figurave që kanë lyer duart me gjak apo kanë urdhëruar vrasje të mos mbajnë më poste drejtuese. “Ne i bëjmë thirrje Presidentit të dekretojë sa më shpejt këtë ligj, pasi është në të mirën e vendit tonë të largohemi një herë e mirë nga diktatura”, - janë shprehur studentët. Firmat e grumbulluara do t’i bashkohen peticionit të studentëve drejtuar Presidentit Bamir Topi. Mësohet se ditën e parë të kësaj iniciative janë grumbulluar 100 firmat e para. Studentët që pritet ta firmosin do të jenë më të shumtë ditën e mërkurë, kur do të vazhdojë grumbullimi i nënshkrimeve. Unioni Studentor i Elbasanit i është bashkuar unionit të Tiranës dhe Vlorës. Peticioni dhe firmat do të dorëzohen në Presidencë, në pritje që Presidenti Topi të reagojë duke vënë firmën e tij në ligjin e spiunëve.

“Të parët”

Pro miratimit të ligjit për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit shprehen sidomos studentët e degës së gazetarisë. Ata i janë përgjigjur kërkesës së Unionit, duke e mbështetur peticionin e studentëve të Tiranës dhe Vlorës. Në korridoret e “Aleksandër Xhuvanit” tema më e diskutuar ishte ajo e spiunëve. Sa e dëmtuar mbetet kjo shoqëri nga prania sidomos e atyre që mbajnë poste të rëndësishme publike. Entela, një studente e vitit të tretë të gazetarisë, thotë se të rinjtë duhet të reagojnë bashkë dhe çështja e dosjeve nuk duhet të kishte kaluar me indiferencë. “Presidenti është numri një i shtetit dhe është ai që vendos drejtësinë duke korrigjuar padrejtësitë e mëdha që u janë bërë qindra mijëra njerëzve në kohën e komunizmit.” Gjatë këtyre ditëve një grup studentësh kërkuan nga Presidenti i Republikës miratimin sa më parë të ligjit të dosjeve. Për këtë ata i dërguan dhe një peticion kreut të shtetit, ku e cilësojnë si të domosdoshme firmosjen e ligjit në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›