E Diel, 1 Nëntor 2026

Terror me armë në fshat, vritet një

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

I sëmurë nga dhimbja për humbjen e të birit, shkakton tragjedi në fshatin e tij. Me armë në dorë, Reshit Adri, 45 vjeç, vret kushëririn dhe plagos një grua në fshatin Podgorie të Korçës. Ngjarja ka mbajtur pezull deri në mbrëmje vonë policinë, banorët dhe familjarët e tij, pasi Adri nuk pranonte të dorëzohej. Disa orë pas vrasjes së kryer ai është izoluar në një zonë tepër të thellë, pranë Malit të Thatë, ku policia e Korçës e më pas ata specialë të RENEA-s kanë tentuar ta bindin për t’u dorëzuar. Breshëri zjarri në drejtim të uniformave blu ka pasur që nga ora 18:00, por për policinë do të qëndrohet dhe gjatë natës për të prangosur pa pasoja Adrin.
Që në orën 16:00 nisi ngjarja e rëndë në fshatin me rreth 3 mijë banorë, Podgorie. Reshit Adri ka dalë nga shtëpia me një automatik e disa krehër me fishekë dhe ka filluar të qëllojë në të gjitha drejtimet. Mendohet se në ato momente ka qenë i dehur dhe në gjendje të rëndë psikologjike. Krismat kanë vënë në alarm familjarët e tij, të cilët kishin vënë re shenjat e rënda nervore që prej nëntorit të shkuar, kur Reshiti mësoi vdekjen e të birit ushtar. Ata kanë nisur përpjekjet për ta neutralizuar e çarmatosur. Kushëriri Lulëzim Laze, 41 vjeç, iu afrua më shumë se të tjerët dhe synonte t’i merrte armën, por Reshiti qëlloi me një breshëri në drejtim të tij. Laze mbeti i vdekur në vend, ndërsa dhe një grua e rastësishme u plagos nga plumbat e pakontrolluar.
Banorë të fshatit menjëherë lajmëruan policinë për çka ndodhi dhe kërkuan ndihmë të menjëhershme, pasi autori i vrasjes ishte i armatosur dhe përbënte rrezik për të tjerët. Forca të shumta policie, nën drejtimin e kryepolicit të Korçës, Emri Vata dhe shefit të komisariatit Latif Kulla, filluan një aksion për kapjen e tij. Në fillim policia ndoqi taktikën për ta shtyrë autorin drejt daljes së fshatit, me qëllim largimin e rrezikut për banorët. Gjatë kësaj kohe, 45-vjeçari ka qëlluar në drejtim të uniformave blu herë pas here. Rreth orës 18:00 u arrit që autori të lëvizte drejt malit, mbi fshatin Podgorie. Por duke përfituar nga errësira e natës dhe njohja e terrenit, ai arriti të pozicionohet në një vend paksa gropë dhe që aty të vazhdojë rezistencën ndaj forcave të shumta të policisë që arritën ta rrethonin. Duke qëlluar herë pas here me automatik në drejtim të policisë përpiqej të pengonte afrimin e tyre drejt tij. Drejtuesit e aksionit, duke synuar kapjen e autorit të vrasjes gjallë, urdhëruan ngushtimin e rrethimit, por pa qëlluar drejt vendndodhjes së tij. Terreni ku veprohej, siç kanë pohuar organizatorët e aksionit, ishte shumë i vështirë dhe në kushtet e errësirës së plotë përbënte një rrezik për jetën e uniformave blu pjesëmarrëse në aksion. Në ndihmë janë kërkuar dhe forcat speciale të RENEA-s, të cilat mbërritën në vendngjarje në mbrëmje, duke nisur negocimet.

Durrës, autori: Denisi më vrau vëllanë

DURRES - Ekzekutimi i të riut në gardhin e stadiumit të Durrësit, dukej se ishte një vetëgjyqësi e pastër. “E vrava, pasi më kërcënonte vazhdimisht. Nuk e durova më këtë gjendje, ndaj e hoqa qafe vrasësin e vëllait tim. Kisha bindjen se ishte Denisi dhe jo babai i tij, Fatbardhi, ai që më masakroi Marion”. Këto kanë qenë fjalët e para që vrasësi Qemal Cërriku ka bërë të ditur përpara hetuesve. Sherri mes dy familjeve ka nisur më 16 gusht të vitit 2006. Një loje bilardo mes të rriturve të dy familjeve ka degjeneruar befas në masakër. Atë e bir kanë kapur Mario Cërrikun duke e vënë me kokë poshtë asfaltit. Më pas e kanë lëshuar në rënie të lirë, duke i thyer shtyllën kurrizore. Mario jetoi fare pak ditë pas kësaj ngjarjeje. Ndërkohë që atë e bir u përballën me drejtësinë, e cila kishte formuluar ndaj të dyve akuzën e “plagosjes së rëndë të kryer në bashkëpunim”. Masakrimi në këtë mënyrë i të vëllait zgjoi tek Qemali ndjenjën e urrejtjes, ndaj ai me të mbaruar ushtrinë vendosi të hakmerrej. Ai kishte bindjen se drejtësia kishte lënë të lirë njeriun e gabuar, pasi mendonte se vrasësi i Marios kishte qenë Denisi dhe jo babai i tij, Fatbardhi. Në lagjen 15 të Durrësit është gjetur e hedhur në një kosh plehrash edhe arma e krimit, një pushkë 10-she. Sipas policisë ajo kishte edhe një fishek në fole, i gatshëm për të kryer qitjen e radhës. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›