E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, depresioni dhe varfëria çojnë në vetëvrasje dy burra

Dy burra vetëvriten në Durrës, duke regjistruar dhe rastet e para të vetëvrasjes për këtë vit në qytetin bregdetar. Selami Rexhepi, 45 vjeç, është ndarë ditën e djeshme nga jeta pas konsumimit të një sasie lënde helmuese të llojit fostoksinë. Viktima vuante prej kohësh nga depresioni dhe ka ndërmarrë mëngjesin e djeshëm aktin tragjik, ndërsa ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak. Viktima nga Kavaja, me banim në Durrës, ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze të martuar. E shoqja kishte lënë punën si infermiere për t‘i shërbyer të shoqit depresiv, por nuk ka mundur ta shpëtojë atë nga vdekja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Lagjen 14 të qytetit, në Shkozet, ku të martën është vetëvrarë një tjetër person: 32-vjeçari Xhevahir Vata. Ai ishte vetëvarur me litar në pjesën e pasme të shtëpisë, ku jetonte me qira së bashku me nënën dhe motrën e tij. Nga këqyrja e kufomës u vu re se në trup ai ka pasur një shenjë të vetme, atë të brazdës që ka lënë shtrëngimi i litarit në fyt. Nga hetimet rezultoi se viktima ishte i papunë, në kushte të rënda ekonomike dhe disa herë ishte shprehur se do të vriste veten nga varfëria. Dy vetëvrasjet e ndodhura në Durrës e çojnë në pesë numrin e përgjithshëm të vetëvrasjeve në Shqipëri gjatë shtatë ditëve të para të këtij viti. Më 4 janar, një vajzë 16 vjeçe nga një fshat i Shkodrës vari veten në litar, ndërsa më datë 6 janar të njëjtin veprim e kreu një 27-vjeçare nga kryeqyteti. Ndërsa dje në mbrëmje, një grua 54 vjeçe u gjet e mbytur në Paskuqan dhe policia tha se kishte vrarë veten.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›