Durres era dhe reshjet e shiut pezullojne lundrimin

Moti i keq që ka përfshirë Durrësin që prej mesnatës së shtunë e shoqëruar me erë e reshje shiu, ka bërë që të pezullohet puna në disa sektorë të portit. Në det të hapur forca e detit shkon deri në katër ball, ndërsa shpejtësia e erës në 16 metër në sekondë, e cila fryn në drejtim të jug-perëndimit. Kjo situatë ka bërë që të pezullohet lundrimi për të gjithë anijet e tonazhit të ulët, por edhe ato të sektorit të peshkimit, duke mos u lejuar të dalin në det të hapur deri në një njoftim të dytë nga ana e kapitenerisë.
Përveç kësaj, shiu ka krijuar probleme të mëdha dhe në sektorin e ngarkim- shkarkimit, ku anijet kanë mbyllur hambarët deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, për shkak të sigurisë. Burime nga kapiteneria bëjnë më dije se përkeqësimi i kohës është ndjerë që në orët e vona të pasdites së shtune, ndërkohë që një mot i paqëndrueshëm pritet edhe gjate ditës se sotme. Të vetmet që nuk kanë pasur probleme kanë qenë tragetet si dhe anijet tregtare të cilat janë ankoruar në kohë, ndërsa pritet që të mos ketë vonesa në nisjen e tyre për shkak të kohës.