E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, gati instalimi i mamografisë

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka deklaruar mbështetjen e tij për instalimin e mamografisë në spitalin e Durrësit, duke pasur parasysh edhe kërkesat në rritje nga pacientët. Drejtoria e spitalit rajonal Durrës duket se ka gjetur mbështetje në ministrinë e linjës lidhur me vënien në punë në një kohë të shpejtë të pajisjes aq të nevojshme të mamografisë. Vetëm pak ditë pas zhvillimit të analizës vjetore të shërbimit shëndetësor e spitalor në Durrës, drejtues të spitalit kanë gjetur mbështetjen e duhur nga ministri Vasili. Pajisja e mamografisë e vendosur prej vitit 2008 në një nga mjediset e këtij spitali qëndron e papunë, duke mos kryer asnjë ekzaminim. Gjatë përurimit të kësaj pajisjeje shumë të rëndësishme për të kapur në kohë simptomat e prekjes nga sëmundja e tumorit të gjirit tek gratë është thënë se në një kohë të afërt do të vendosej gjeneratori, akumulatori si dhe do të përfundonte përshtatja e mjedisit për ekzaminime të tilla cilësore. Shërbimi i mamografisë është ofruar falas falë përfshirjes së shërbimit shëndetësor në Durrës në projektin e rëndësishëm të INTERREG - 3. Qeveria italiane ka ofruar asistencë teknike dhe pajisje, një prej të cilave është vendosur në Durrës dhe sipas të gjitha studimeve paraprake, është thënë se mamografia do të mund të realizojë ekzaminimin e më shumë se 10 mijë femrave në harkun kohor të një viti. Mamografi me fonde të projektit INTERREG - 3 janë vendosur në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë. Organizmat shëndetësorë ndërkombëtarë kanë parashikuar se në një periudhë 4-5-vjeçare nga koha e vënies në punë të pajisjes bashkëkohore, do të kishin të dhëna të kënaqshme. Interesimi sipas mjekëve, ka qenë i vlerësuar, por aparatura nuk është vënë në punë, ngase nuk ka funksionuar i gjithë zinxhiri. Spitali i Durrësit ka menduar dhe projektuar të ketë një linjë më vete për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të disa pajisjeve të tilla, si dhe të sallës së ndërhyrjeve kirurgjikale, duke modernizuar shërbimet në tërësi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›