Kriteret përfituese për të tre kategoritë
08/02/2010 Kushtet e daljes në pension nga 1 korriku 2010-ës, deri më 30 qershor të vitit 2011
Rritja e moshës së pensionit çdo dy vjet, deri në rritjen maksimale të vitit 2024
Për të fituar të drejtën e pensionit në kohë, personat që janë në prag të plotësimit të kriterit të moshës duhet të dorëzojnë pranë agjencive rajonale të sigurimeve shoqërore kërkesën paraprake. Kjo kërkesë lejon mbylljen e verifikimeve për dosjen përfituese, para se të lindë e drejta e pensionit. Kushtet e daljes në pension për vitin 2010-2011 shoqërohen me ndryshime veçanërisht për punët e kategorisë së parë, e cila pëson rritje, ndërsa kriteri moshë vijon të mbetet i njëjtë. Megjithatë, mosha e daljes në pension për të gjitha kategoritë përfituese lëviz nga 58 deri në 64 vjeç për burrat, dhe për gratë nga 53 deri në 59 vjeçe, sipas ndarjes së profesionit.
Kriteret
Kushtet për të fituar pension të plotë ose të pjesshëm për të dyja gjinitë, duke filluar nga 01.07.2010 - 30.06.2011, vijojnë si më poshtë: Për punët e kategorisë së parë e drejta e pensionit për burrat lind kur ata mbushin 58 vjeç. Ndryshe nga një vit më parë, vjetërsia e punës pëson rritje për këtë kategori, ku kërkohen 31 vjet të siguruar për të gëzuar pensionin. Ndërsa për gratë mosha e daljes në pension plotësohet kur ato arrijnë moshën 53 vjeçe. Po e njëjta rritje do të jetë edhe për vitet e sigurimit, ku duhet të plotësojnë minimalisht 31 vjet të siguruar. Për punët e kategorisë së dytë mosha e daljes në pension për burrat do të jetë 63 vjeç, ndërsa për gratë 58 vjeçe. Periudha e sigurimit që të dy kategoritë duhet të mbulojnë është minimumi 35 vjet. Për punët e kategorisë së tretë mosha e daljes në pension për burrat do të jetë 64 vjeç, ndërsa për gratë 59. Njëkohësisht edhe për këtë kategori vjetërsia e punës së mbuluar me kontribute duhet të jetë minimalisht 35 vjet të siguruar. Kriteret dhe kushtet e përfitimit për nënat me shumë fëmijë për 2010-2011-ën mbeten të pandryshuara; përkatësisht e drejta e pensionit për këtë kategori lind në moshën 50-vjeçare, teksa duhet të plotësojnë edhe 30 vjet të siguruar. Sipas skemës së përcaktuar nga ekspertët e sigurimeve shoqërore, kriteri i moshës do të pësojë rritje të tjera për të dyja gjinitë, por kjo rritje do të vijojë të jetë graduale me kalimin e viteve, derisa të arrijë kufirin maksimal për të dyja gjinitë.
Kërkesa
Plotësimi i kërkesës paraprake për të fituar pensionin duhet bërë pranë çdo agjencie rajonale të sigurimeve shoqërore në vendbanimin më të afërt të personit që aplikon, të paktën 12 muaj para plotësimit të kriterit moshë. Kërkesa paraprake duhet shoqëruar dhe më një sërë dokumentesh, si: fotokopje e librezës së punës (në mungesë të saj, deklaratë për vitet e punës), certifikatë lindjeje me fotografi, certifikatë martese për kërkueset femra. Plotësimi i kësaj kërkese bëhet nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës. Procedura e plotësimit është e ndarë në disa pjesë, në varësi dhe të informacionit që disponojnë dhe vetë përfituesit. Kështu, të drejtën e plotësimit të kërkesës paraprake e kanë edhe ata persona që nuk disponojnë vetë dokumentet që faktojnë të drejtën e përfitimit. Këta të fundit duhet të plotësojnë një formular, i cili është pjesë e veçantë e kërkesës paraprake ku deklarojnë historikun e tyre të punës, duke specifikuar të gjitha subjektet ku kanë punuar gjatë kohës që kanë qenë të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore. Këto të dhëna verifikohen më pas nga ekspertët e sigurimeve shoqërore, të cilët autorizojnë të drejtën e pensionit kur të dhënat janë konform ligjit të pensioneve.
Rritja e moshës së pensionit nga 2010-2024 sipas kategorive
Kriteri i moshës për efekt të daljes në pension do të pësojë tjetër rritje për të dyja kategoritë me kalimin e viteve. Kjo rritje do të vijojë derisa të arrihet kufiri maksimal i vendosur që për burrat do të jetë limiti 65 vjeç, ndërsa për gratë 60 vjeçe. Rritja e moshës do të bëhet efektive çdo dy vjet. Është parashikuar që për punëtorët e kategorisë së parë (burra), mosha e daljes në pension të pësojë rritje nga 58 vjeç që është aktualisht (për vitin 2010), në 65 vjeç, rritje e cila përfundon deri në vitin 2023. Po në këtë linjë do të vijojë edhe rritja e moshës së daljes në pension për gratë, e cila nga 53 që është aktualisht për punët e kategorisë së parë, në 60 vjeçe, rritje e cila i përket vitit 2023. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë dhe të tretë rritja e moshës do të përfundojë në një hark kohor më të shkurtër, përkatësisht në vitet 2013-2014. Periudha e sigurimeve për të dyja kategoritë do të arrijë limitin maksimal në 35 vite të siguruara, e ndarë kjo sipas llojit të punës së kryer. Në tabelat përkatëse do të gjeni lëvizjet që do të pësojë periudha e sigurimeve dhe kriteri i moshës për të gjitha vitet në vijim.