Durrës, gjendet një predhë e vjetër gjatë hapjes së themeleve të pallatit
DURRES - Punëtorët e një firme ndërtimi kanë gjetur mbrëmjen e kaluar një predhë të vjetër gjatë hapjes së themeleve të një pallati, pranë rrugës së Unazës së Plepave, 6 km në jug të qytetit të Durrësit. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut, bënë të ditur se `predha` me diametër 155 mm është gjetur nga punonjësit e firmës së ndërtimit `Greenline e Azir`, të cilët kanë njoftuar menjëherë forcat e rendit. Sipas burimeve në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë specialistët e `Njësisë Antieksploziv` nga Ministria e Brendshme, të cilët e kanë transportuar predhën me gjatësi rreth 70 cm për asgjësim drejt poligonit përkatës. Megjithëse organet e policisë nuk kanë bërë të njohur “moshën” e predhës mendohet se ajo i përket fundit të luftës së dytë botërore kur bregdeti i Durrësit u minua nga forcat naziste në kuadër të operacionit “Shëtitje në port”.(d.b/BalkaWeb)