E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat nuk shmangin dot krizën, kompanive të mëdha u tkurren fitimet



Ervin KOÇI

Arka e shtetit nuk po arin prej disa muajsh të mbledhë të ardhurat e parashikuara sipas planit. Shkak për këtë janë bërë bizneset e mëdha shqiptare që po realizojnë më pak fitime këtë vit, se sa një vit më parë, gjë që po reflektohet edhe në nivelin e të ardhurave të buxhetit të shtetit nga tatimfitimi. Statistikat e Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë nëntëmujorit të këtij viti, tatimfitimi i paguar në Shqipëri qe 12.8 miliardë lekë (rreth 95 milionë euro) ose 2.4 miliardë lekë (18 milionë euro) më pak se sa plani. Tatimfitimi i paguar këtë vit është edhe 5.6 për qind më i ulët se një vit më parë, por ekspertët thonë se efektet reale të tkurrjes së fitimeve të kompanive do të shihen gjatë muajve të ardhshëm. Kompanitë e klasifikuara si biznes i madh në Shqipëri paguajnë tatim prej 10 për qind mbi fitimet neto. Kështu, rezulton se fitimet e kompanive janë 180 milionë euro më pak nga sa qe shpresuar nga Ministria e Financave. Bankat duket se janë biznesi më i prekur nga reduktimi i fitimeve si pasojë e krizës së bashku me ndërtimin, si dhe bizneset eksportuese. Rënia e fitimeve për këtë vit nënkupton më pak kapacitete investuese për vitin e ardhshëm, gjë që sjell zgjatjen e pasojave të krizës aktuale për së paku edhe një vit. Bankat kanë fituar rreth 10 herë më pak gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti në krahasim me vitin e kaluar, ose rreth 6 milionë euro. Sektori i ndërtimit, i cili paguan tatimfitim mbi norma referencë fitimi për çdo metër katror apartament apo dyqan të shitur, është reduktuar në shkallë të gjerë.

Efekti i Durrës-Kukës

Reduktimi i fitimeve të biznesit në Shqipëri vlerësohet se është shumë më i lartë nga ai që paraqitet në statistikat zyrtare në rast se marrim parasysh efektin që ka dhënë rruga Durrës-Kukës në të ardhurat e qeverisë nga tatimfitimi. Kompanitë sipërmarrëse kanë tërhequr nga buxheti i shtetit rreth 250 milionë euro deri tani dhe kanë një normë fitimi prej rreth 30 për qind, gjë që do të thotë se kanë qenë përgjegjëse për një pjesë të konsiderueshme të tatimfitimit të paguar.

Vlerësimet

Një nga arsyet e deficitit të lartë në të ardhurat nga tatimfitimi për këtë vit qëndron edhe në faktin e thjeshtë se qeveria nuk mori parasysh efektet që mund të kishte kriza botërore në ekonominë shqiptare kur hartoi projektbuxhetin e këtij viti. Qeveria parashikoi rritje të të ardhurave nga tatimfitimi me 15 për qind në krahasim me vitin 2008, rritje kjo që konsiderohet ambicioze edhe për një vit bumi ekonomik. Për pasojë, nuk është surprizë mosrealizimi i planit. Por nga ana tjetër, bizneset në Shqipëri kanë raportuar këtë vit shumë më tepër raste të presionit tatimor për të vjelë tatime mbi baza vlerësimesh të dyshimta.

Duhani, grosistët importojnë 72 milionë euro cigare në shtator

Eksportet e prodhimeve shqiptare qenë 72 milionë euro gjatë muajit shtator, rreth 18 për qind më pak se në shtatorin e vitit të kaluar, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë. Gjatë shtatorit u vu re një lehtësim i rënies së eksporteve nga -27.4 për qind që qe kulmi i shënuar në muajin prill, në "vetëm" - 18 për qind. Eksportet e nëntëmujorit janar-shtator qenë në total 573 milionë euro, me rënie 19.2 për qind kundrejt nëntëmujorit 2008, kur qenë 709 milionë euro. Në shtator, importet qenë 303 milionë euro, shifër kjo e barabartë me shtatorin 2008. Mosrënia e importeve i dedikohet krijimit të stokut të disa mallrave të akcizës nga ana e bizneseve shqiptare, të cilat po përdorin likuiditetet e lira për të importuar më shumë mallra para se të hyjnë në fuqi akcizat e reja. Si nëntëmujor, importet qenë 2.39 miliardë euro, me rënie 6.7 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Për pasojë, deficiti tregtar i vendit ka vijuar të thellohet dhe balancat e jashtme kanë vijuar të përkeqësohen. Rënia më e vogël e importeve në krahasim me eksportet, i dedikohet volumit të lartë të investimeve publike në infrastrukturë, një pjesë e konsiderueshme e të cilave përkthehen në importe lëndësh të para. Deficiti i lartë tregtar i vendit ka qenë edhe një nga shkaqet e dobësimit të lekut në kursin e këmbimit kundrejt euros.

Leku, forcohet tendenca stabilizuese e monedhës shqiptare

Shumica dërrmuese e bankave kanë reduktuar gjatë ditëve të fundit në mënyrë të ndjeshme diferencën mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes së valutës, shenjë kjo që konsiderohet nga ekspertët si tregues i stabilizimit të kursit aktual. Leku shqiptar ndaloi së dobësuari të premten e kaluar dhe ka njohur tendencë graduale forcimi gjatë kësaj jave. Dje, euro kushtoi 137.51 lekë sipas kursit mesatar që publikohet në mesditë nga Banka e Shqipërisë, rreth 0.5 për qind më lirë se javën e kaluar. Disa prej bankave kanë reduktuar diferencën mes shitjes dhe blerjes deri në 3 lekë për klientët e zakonshëm dhe në më pak se 1 për qind për shitblerjet me shumicë. Qetësimi i tregut në këtë drejtim është një sinjal që leku nuk do pritet të pësojë luhatje të konsiderueshme, të paktën, jo për tani. Gjithsesi, surprizat nuk përjashtohen. Në tregun valutor shqiptar qarkullojnë mesatarisht 20 milionë euro në vit dhe kompani apo individë të ndryshëm kanë fuqi reale të rrisin apo pakësojnë fluksin e këmbimit në mënyrë të ndjeshme së paku për disa ditë. Tani ekspertët e tregut valutor janë në pritje të rritjes së volumit të importeve, fenomen i zakonshëm ky për periudhën e dimrit. Një faktor tjetër që tërheq vëmendjen e agjentëve të këmbimit valutor janë edhe ecuria e shpenzimeve të qeverisë në periudhën e fundvitit. Zakonisht qeveria shpenzon shumë herë më tepër në dy muajt e fundit të vitit për shkak se dikasteret e ndryshme nxitojnë të shpenzojnë sa më shumë të munden para se të mbyllet viti. Por ky fenomen sezonal mund të jetë i ndryshëm këtë vit për shkak se qeveria i ka kryer shpenzimet kryesore më herët. Ndikimi i uljes së normës bazë të interesit në vlerën e lekut mund të vonojë deri në disa muaj, sipas ekspertëve.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›