E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjata: Skema, si zëvendësohen deputetët

Çlirim Gjata, analizon në një intervistë për "Shqip" çështjen e ndërprerjes së mandatit të deputetëve të opozitës. Ish-kryetari i KQZ-së Gjata, sqaron anën juridike, teksa kujton rastet e zëvendësimit të Dritëro Agollit në vitin 2005 dhe Spartak Brahos në vitin 2008. Në vlerësimin e Gjatës, zgjidhja e situatës duhet të jetë ligjore dhe kurrsesi politike në kurriz të ligjit.

Zoti Gjata, 64 deputetë të PS-së prej muajsh nuk e frekuentojnë Kuvendin dhe nuk kanë bërë as betimin si ligjvënës. Si jurist, por edhe si ish-kryetar i KQZ-së, si e konsideroni këtë situatë nga ana ligjore?

Nga pikëpamja ligjore, këtë situatë e konsideroj antiligjore dhe madje antikushtetuese. Persona përkatës me cilësinë e kandidatit për deputetë dhe pasi kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe procedurale për të garuar si të tillë, i janë drejtuar popullit për t‘u votuar si deputetë, që do të thotë për t‘u votuar si përfaqësues të popullit. Ata janë votuar si të tillë, pra kanë fituar mandatin e deputetit, mandatin e përfaqësuesit. Në këtë moment, ata nuk kanë të drejtë ta refuzojnë në këtë mënyrë tagrin e përfaqësimit, pra nuk mund ta refuzojnë kontratën e kërkuar dhe të pranuar nga ata vetë me vullnet të plotë e të lirë. Ky është momenti ligjor, ndërsa momenti politik është tjetër gjë, por që gjithsesi nuk mund të dalë mbi momentin ligjor. Veprimet politike nuk mund të dalin mbi ligjet. Kur flasim për momentin ligjor, kemi parasysh, pa u stërzgjatur në dispozita pa fund, nenet 70/1 të Kushtetutës: "Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat tjetër detyrues". Pra nuk ka asgjë që ta detyrojë deputetin të mos i përgjigjet mandatit të tij, përkundrazi mandati i deputetit është detyrim dhe përgjegjësi, jo një e drejtë që mund ta shfrytëzosh kur të duash. Prandaj kjo vjen në kundërshtim me Kushtetutën. Unë nuk po hyj pastaj në rregulloren e Parlamentit, sepse do të zgjateshim pa fund, pasi të gjitha shpjegimet çojnë ujë në një hulli.

Pak ditë më parë, Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, deklaroi se Këshilli i Rregullores do t‘i drejtohet KQZ-së për ta zhbllokuar këtë situatë sipas afateve ligjore. Ajo ju referua edhe nenit 164 të Kodit Zgjedhor. Në fakt, a ka mundësi zëvendësimi dhe çfarë mund të ndodhë me mandatet e deputetëve që nuk janë betuar?

Kjo shihet në planin individual për çdo deputet, sepse pavarësisht nga sistemi zgjedhor, mandati është individual dhe ligjërisht deputetët e fitojnë apo e humbasin si individë mandatin. Ndaj dhe për këtë, neni 164 i Kodit Zgjedhor, i titulluar "Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi", i referohet fillimisht nenit 71 të Kushtetutës. Në këtë nen, në pikën 1 sanksionohet se kur fillon mandati i deputetit dhe ai fillon pikërisht në ditën që shpallet si i tillë nga komisioni zgjedhor dhe jo kur bën betimin si deputet, pra mandati ka filluar, i është njohur që në momentin që është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Ushtrimin e këtij mandati e bën pas betimit konform nenit 72 të Kushtetutës. Pra nuk duhet ngatërruar fillimi i mandatit me ushtrimin e tij në Kuvend. Në pikën 2 jepen rastet kur mbaron mandati ose kur shpallet i pavlefshëm. Në këtë rast mendoj se mund të marrim në analizë germën "a" dhe "d" të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës (kur nuk bën betimin dhe kur mungon në Parlament pa arsye për më shumë se 6 muaj rresht). Po e filloj nga e dyta. Deputetët nuk kanë bërë betimin dhe si të tillë nuk mund të ushtrojnë mandatin në Parlament, kështu që do t‘u llogaritet afati 6-mujor. Nga ana tjetër, duke mos bërë betimin, automatikisht hyn në veprim germa "a". Dhe kjo hyn në veprim kurdo dhe për këdo, sa kohë nuk është bërë betimi nga ana e deputetit. Gjithashtu, betimi i deputetit lidhet me fillimin e mandatit të Kuvendit, i cili është tjetër nga mandati i deputetit. Sipas nenit 164/1 të Kodit Zgjedhor "…deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin...". Në këtë rast, deputeti nuk është paraqitur fare në komisionin përkatës. A shërben heshtja si refuzim ose deklarimi publik, por jo para komisionit përkatës, për mospjesëmarrje në Parlament? Kjo mbetet për t‘u interpretuar. Nëse do të bënim një bashkim mekanik të të dy germave kushtetuese si më lart shpjeguam, për interpretim, mund të themi se pritet 6 muaj që deputetët të bëjnë betimin, në kundërt ata e humbasin mandatin. Në fund të fundit, shteti nuk mund të qëndrojë pasiv dhe të mosfunksionojë pafundësisht, duhet marrë një vendim. Pastaj ky vendim mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ose të gjenden zgjidhje të tjera. Humbja e mandatit në këtë rast është automatike (ipso legge) dhe nuk varet nga vullneti i askujt. Nuk ka nevojë ta deklarojë askush. Ndryshe ndodh kur heq dorë vetë nga mandati ose kur vërtetohet papajtueshmëria (germat "b" dhe "c" po të kësaj dispozite). Në këto raste ka procedura të tjera. Por në rastin tonë nuk jemi para procedurash të tjera. Mandati humbet automatikisht dhe atëherë administrata e Kuvendit i drejtohet KQZ-së për zëvendësimin e tij me kandidatin e radhës.

Nëse KQZ pranon kërkesën e Kuvendit për zëvendësim, a ka rrezik që të kthehet në qendër të përplasjeve politike, duke marrë mbi vete barrën e krizës politike?

Së pari do të thosha se nuk kam dëshirë t‘u jap këshilla institucioneve, kushdo qofshin ato. Mendoj të paraqes thjesht mendimin tim se si e interpretoj unë nga pikëpamja kushtetuese ligjore këtë rast. Së dyti, një institucion ka si detyrim zbatimin e ligjit dhe në këtë detyrim nuk mund të intimidohet me frikën se mund të kthehet në qendër të përplasjeve politike. Përplaset apo jo politika, institucioni vazhdon punën, sepse edhe përgjegjësinë e mban institucioni sipas kompetencave të veta dhe s‘mund të justifikohet për shkak të luftës politike. Së treti, rasti në fjalë, mendoj unë, nuk ka të bëjë me KQZ-në si institucion. Në momentin që KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, nuk ka më asnjë detyrim dhe të drejtë mbi mandatin e deputetëve. E them këtë se nuk ka pse KQZ të bëhet skenë e përplasjes politike. Sipas nenit 164, KQZ vepron konform procedurave të sanksionuara në pikën 2 dhe 3 të këtij neni vetëm, e theksoj vetëm, pasi t‘i jetë kërkuar një gjë e tillë nga Kuvendi konform pikës 1. KQZ nuk konstaton mbarimin apo pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, nuk i duhet fare se si e qysh mbarojnë mandatet. Mjafton që Kuvendi të bëjë kërkesën përkatëse dhe KQZ bën zëvendësimin me kandidatin e radhës. Pra nuk e vlerëson KQZ nëse kërkesa e ardhur nga Kuvendi për zëvendësim është e ligjshme apo jo. Unë mund t‘ju sjell në mend vitin 2005, diku 5 muaj para zgjedhjeve të 3 korrikut, kur një deputet i PS-së hoqi dorë nga mandati dhe pas kërkesës së Kuvendit, KQZ e zëvendësoi me Dritëro Agollin. Apo vitin 2008, kur deputeti i LSI-së, Sabit Brokaj, hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe po kështu u zëvendësua nga Spartak Braho. KQZ nuk pyeti për shkaqet, por thjesht zbatoi kërkesën e Kuvendit.

Duke ju referuar sërish anës ligjore, cili është statusi që gëzojnë deputetët e PS-së të zgjedhur me votë, të certifikuar nga KQZ, por të pabetuar? Duket sikur ata kanë mbetur në një hapësirë ligjore që nuk i konsideron as deputetë, por as ish-deputetë...

U mundova ta shpjegoj këtë situatë edhe më lart. Pa u zgjatur shumë, do të thosha se statusi i tyre ndahet në dy momente. Atë material, kur janë votuar si përfaqësues dhe duhet t‘u përgjigjen detyrimeve të përfaqësimit popullor, e sanksionuar kjo edhe në Kushtetutë. Dhe momenti i dytë, ai procedural, që fillon me betimin si deputetë. Nuk mendoj se ndodhemi në një hapësirë ligjore, megjithëse është rasti i parë nëse ndodh, që ta humbasin mandatin për këtë shkak. Ata janë deputetë, sepse deputet nuk të bën betimi, por vota nga populli. Betimi thjesht të jep të drejtë të fillosh të ushtrosh mandatin brenda rregullave të caktuara në Kuvend. Në këtë rast, deputetët nuk pranojnë të ushtrojnë mandatin, duke mos bërë betimin, e thënë në mënyrë pak vulgare, nuk pranojnë të punojnë. Duke qenë se nuk pranojnë të punojnë, ashtu si në çdo rast, edhe Kushtetuta ka parashikuar ndërprerjen e marrëdhënieve dhe "thirrjen e një punonjësi tjetër" që pranon të punojë. Në rastin tonë, puna është ushtrimi i tagrave të përfaqësimit. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi është fakti se zgjidhja duhet të jetë ligjore dhe jo politike. Nëse përsëri, si në shumë precedentë të tjerë, do të kemi një zgjidhje politike mbi atë ligjore, ose edhe vetëm duke e anashkaluar ligjin, do të kishim një fatkeqësi më shumë në dëm të ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›