Durrës, "harrohen" 1100 vepra arti
Rreth 1100 vepra arti në qytetin e Durrësit mbeten "të burgosura". Prej 15 vitesh ky qytet vuan mungesën e një galerie publike të arteve figurative. Salla që shërbente për ekspozimin e veprave të artistëve të daltës dhe penelit iu rikthye pronarëve të saj në vitin 1993 dhe përpjekjet e pushtetit vendor për të gjetur një zgjidhje afatgjatë deri tani kanë dështuar. Me rastin e festave të fundit të nëntorit, në bashkinë e qytetit qëndroi e hapur për tri ditë një ekspozitë retrospektive me 145 piktura dhe skulptura, kryesisht vepra të autorëve durrsakë, që nga viti 1950. Ekspozita riktheu në vëmendje bashkë me vlerat dhe nostalgjinë për mjaft autorë që nuk jetojnë më, edhe problemin e pazgjidhur të galerisë së arteve. Punimet ishin zgjedhur mes 1100 veprave artistike, të cilat që kur u mbyll galeria e arteve janë mbyllur në një hapësirë 16 metra katrorë në ndërtesën e muzeut të luftës, në kushte shumë të këqija. Artistët durrsakë kanë kërkuar që ky qytet të ketë një galeri publike, ku të ekspozohen veprat e piktorëve dhe skulptorëve të rinj, por në të njëjtën kohë të organizohen edhe ekspozita retrospektive me autorë të njohur nga Durrësi, Shijaku apo Tirana. Një problem më vete janë dhe 128 tablo në nderim të mjeshtrit Ibrahim Kodra, ende të paekspozuara.
Katër vjet më parë, kur mjeshtri i telajos ishte ende gjallë, një grup piktorësh nga Italia, përmes fondacionit "Ibrahim Kodra", i dhuruan Bashkisë së Durrësit 128 tablo të përmasave mesatare dhe të mëdha. Artistët italianë kërkuan që bashkë me ekspozimin, "të zotët e shtëpisë" të botonin edhe një katalog të veprave që i kushtoheshin piktorit nga Ishmi (komuna 35 kilometra në veri të Durrësit). Tablotë e piktorëve nga vendi fqinj vazhdojnë të jenë të paketuara dhe ekspozimi i tyre për publikun duket se nuk do të jetë i shpejtë. Specialisti i arteve pamore, Edi Muka, i cili një javë më parë solli në Durrës 30 punime të shtatë artistëve të rinj, tha se Durrësi ka nevojë të ngutshme për një qendër të arteve figurative. Në cilësinë e anëtarit të jurisë ndërkombëtare për rijetësimin e sheshit "Liria", Muka u shpreh se një nga detyrat që u janë dhënë pesë studiove të huaja, të seleksionuara për garën finale, ishte përfshirja në projektet përkatëse të një ndërtese enkas për kulturën. Hapja e galerive private në këtë qytet pas vitit 2004 ka krijuar një tjetër mundësi ekspozimi, por zgjidhjet e pjesshme të deritanishme e kanë bërë më të ngutshme zgjidhjen e kërkesës së artistëve dhe dashamirëve të artit për një galeri artesh pamore të përhershme.