E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gomora", mafia tjetër e Italisë

Ata që kanë fituar, në çfarëdo mënyre që të kenë fituar, nuk turpërohen kurrë për mënyrën se si kanë dalë fitimtarë.

Niçolò Maçhiavelli

Njerëzit janë krimba dhe të tillë duhet të mbeten.

Nga një përgjim telefonik

Bota është e jotja.

Scarface, 1983

Pjesa e parë

Porti

Kontejneri lëkundej, teksa vinçi po e çonte në anije. Njëlloj sikur të klloçitej nëpër ajër, sprider-i, mekanizmi që lidh kontejnerin me vinçin, nuk arrinte ta kontrollonte lëvizjen. Befas, kanatet e mbyllura keq u hapën vrullshëm dhe me dhjetëra trupa filluan të binin si breshër. Ngjanin si kukulla. Dhe aty, në tokë, kokat çaheshin ashtu siç çahen kafkat e vërteta. Në të vërtetë, të tilla ishin. Prej kontejnerit dilnin burra dhe gra. Tek-tuk edhe ndonjë djalë i ri. Të vdekur. Të ngrirë, të vënë njëri mbi tjetrin. Të ngjeshur nëpër rreshta, si sardelet në kuti. Ishin kinezë, prej atyre që nuk vdesin kurrë. Ishin të përjetshmit kinezë, dokumentet e të cilëve i kalojnë dorë më dorë. Ja ku kishin përfunduar ata trupa, që fantazitë më të shfrenuara i përfytyrojnë të gatuar në restorante, të varrosur nëpër kopshtet përreth fabrikave, të hedhur në grykën e Vezuvit. Ishin aty. Binin me dhjetëra nga kontejneri, me emrin të shkruar në një etiketë që ua kishin lidhur me rrip në qafë. Secili prej tyre kishte vënë para mënjanë, që ta varrosnin në qytetin e lindjes, në Kinë. Kishin pranuar t‘iu mbanin një përqindje nga rroga dhe në shkëmbim kishin siguruar udhëtimin e kthimit, pasi të vdisnin. Një copë vend në kontejner dhe një gropë në ndonjë copë toke kineze. Ndërsa ma tregoi këtë, vinçieri i portit vuri duart mbi fytyrë dhe vazhdoi të më shihte nga hapësira mes gishtave. Sikur kjo maskë duarsh t‘i jepte më shumë guxim për rrëfimin e tij. Kishte parë trupat që binin, por nuk kishte qenë nevoja as të lëshonte alarmin, as të thërriste ndokënd. Thjesht kishte mbështetur në tokë kontejnerin dhe menjëherë, dhjetëra njerëz që kishin mbirë nga hiçi, i kishin futur sërish brenda, ndërsa mbeturinat i kishin pastruar me një pompë. Kështu rridhnin gjërat. Nuk iu besonte ende syve, shpresonte se kishte lajthitur për shkak të punës së tepërt me orar të zgjatur. Pastaj mbylli gishtat, mbuloi krejtësisht fytyrën me ta dhe vazhdoi të fliste e të ofshante, por unë nuk kuptova më asgjë.

Çdo gjë që ekziston, kalon prej këtej. Nga porti i Napolit. Nuk ka prodhime industriale, stofra, artikuj plastikë, lodra, çekiçë, këpucë, kaçavida, bulona, lojëra elektronike, xhaketa, pantallona, trapanë apo ora që të mos kalojnë nga porti. Porti i Napolit është një plagë. E thellë. Ai nënkupton pikëmbërritjen e udhëtimeve të pafundme të mallrave. Anijet mbërrijnë, futen në gji, i afrohen skelës si këlyshët gjinjve, vetëm se ata nuk do të pinë, por përkundrazi duhen mjelë. Porti i Napolit është një vrimë e globit, prej ku del gjithçka që prodhohet në Kinë, në Lindjen e Largët, siç e quajnë ende me njëfarë argëtimi kronistët. E Largët. Tepër e Largët. Thuajse e papërfytyrueshme. Me të mbyllur sytë, të shfaqen kimonotë, mjekra e Marko Polos dhe një shkelm në ajër i Bruce Lee-së, m‘u në mes të gjoksit. Në të vërtetë, Lindja është e lidhur me portin e Napolit si asnjë vend tjetër. Këtu Lindja nuk përfaqëson asgjë të skajshme. Atë mund ta quash... e afërta Lindje, ose edhe fqinja Lindje. Çdo gjë që prodhojnë në Kinë, e zbrazin këtu; dhe kjo lëvizje i ngjan ujit të një kove të mbushur plot, të derdhur sipër një grope rëre, që e gërryen atë edhe më shumë dhe, duke e zgjeruar, zbret më thellë. Vetëm porti i Napolit shpërndan 20 për qind të vlerës së importit të tekstileve të Kinës, por, në të vërtetë, mbi 70 për qind e sasisë së prodhimit të saj kalon prej këtej. Këtu ndodh diçka e çuditshme, e ndërlikuar për ta kuptuar. Ka raste që mallrat të mbartin brenda tyre magji të rralla, të gjenden aty ndërsa nuk janë, të mbërrijnë ndërsa nuk vijnë kurrë, të kenë vlerë të madhe ndërkohë që nuk e kanë fare, të kushtojnë dy para, ndonëse vlera e tyre është e madhe. Ǒështë e vërteta, mallrat e prodhimit tekstil janë të ndarë në shumë kategori merceologjie dhe mjafton një vizë me stilolaps mbi faturën e mallit, për ta zbritur jashtëzakonisht shumë vlerën dhe TVSH-në. Nëpër qetësinë e kësaj vrime të zezë, që është ky port, struktura molekulare e gjërave sikur shpërbëhet për t‘u formësuar sërish, me të dalë nga perimetri i bregut. Malli duhet të dalë menjëherë prej portit. Gjithçka ndodh aq shpejt sa, ndërkohë që ngjet, zhduket. Sikur të mos ketë ndodhur asgjë, sikur të bëhej fjalë vetëm për një gjest. Një udhëtim që nuk është bërë, një ankorim i rremë, një anije fantazmë, një ngarkesë e paqenë. Sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Sikur të ketë avulluar. Është me vend që malli të mbërrijë në duart e blerësit pa lënë pas puhizën e rrugëtimit, që të mbërrijë në magazinë menjëherë, nxitimthi, përpara se koha të fillojë rrokullisjen e saj, ajo kohë që mund të bëjë të mundur kontrollin. E atëherë kuintalë të tërë malli zhvendosen nga njëri vend në tjetrin, sikur të jenë një kuti postare prej atyre që të sjell në shtëpi postieri. Në portin e Napolit, në 1.336.000 metrat katrorë e në 11.5 kilometrat e vijës së tij bregdetare, koha tkurret si askund tjetër. Atë që tjetërkund e bëjnë brenda një ore, në portin e Napolit e bëjnë brenda pak minutave. Ngadalësia proverbiale, që në imagjinatën kolektive ngathtëson çdo veprim të një napolitani, këtu shuhet, përgënjeshtrohet, mohohet. Dogana e aktivizon kontrollin e saj në një dimension kohor që mallrat kineze e shpojnë. Me shpejtësi të pamëshirshme. Këtu çdo minutë është e vrarë. Kemi të bëjmë me një kërdi minutash, një masakër sekondash, të rrëmbyera nga dokumentacionet, të ndjekura nga gazi i kamionëve, të shtyra nga vinçat, të shoqëruara nga makineritë shkarkuese që zbrazin kontejnerët.

Në portin e Napolit ushtron veprimtarinë e tij armatori më i madh i shtetit kinez, Cosco. Flota e tij është e treta në botë për nga madhësia, administron aty terminalin më të madh të kontejnerëve. Cosco-ja ka hyrë në marrëdhënie me Msc-në, me seli në Gjenevë, që ka flotën e dytë më të madhe në botë. Zviceranët dhe kinezët janë bashkuar për të rritur fitimet, ndërsa në Napoli kanë vendosur të investojnë pjesën më të madhe të biznesit të tyre. Këtu ata kanë në dispozicion mbi 950 metra skelë, 130.000 metra katrorë terminal për kontejnerët dhe 30.000 metra katrorë jashtë, duke përvetësuar thuajse gjithë trafikun e tranzitit në Napoli. Kushdo që kërkon të dijë se në çfarë shkalle volumi i prodhimeve kineze mbështetet mbi në një grusht vend të portit napolitan, i duhet t‘i krijojë nga e para kufijtë e përfytyrimit të vet. Fare mirë një metaforë evangjelike mund të shërbejë si shembull. E kam fjalën për devenë dhe vrimën e gjilpërës; dhe në këtë rast vrima e gjilpërës është porti; ndërsa deveja, që duhet të kalojë nëpër të, janë anijet. E kështu bëhet fare i lehtë përfytyrimi i një kaosi ku përplasen bashe anijesh, anijesh të stërmëdha të radhitura njëra pas tjetrës jashtë gjirit, që presin hyrjen mes pështjellimit të kiçeve që çukiten, që zhurmojnë nën rënkime hekurash, llamarinash dhe bulonash e që futen pastaj ngadalë në vrimën e vogël napolitane. Si një anus deti, muskujt e të cilit zgjerohen me dhimbje të madhe zorrësh.

Por jo. Nuk ndodh kështu. Në dukje, nuk ka aspak pështjellim. Të gjitha anijet hyjnë e dalin duke zbatuar rregullat e paracaktuara ose kështu të ngjan, të paktën, ndërsa vështron nga toka. Por, sidoqoftë, 150.000 kontejnerë kalojnë këtu. Qytete të tëra mallrash lartësohen në port, që më pas duhen transportuar. Cilësia më e spikatur e portit është shpejtësia. Çdo vonesë burokratike, çdo kontroll i imtësishëm e shndërrojnë panterën e transportit në një breshkë të rëndë dhe të ngadaltë.

Përherë humbasin nëpër në mol. Moli Bausan u ngjan lojërave formuese të markës Lego. Një strukturë e pafundme, që duket jo sikur ka hapësirë, por sikur e shpik atë. Ndërkaq, është një kënd i molit që i ngjan një rrjete me fole grerëzash. Koshere bastarde që zënë gjithë sipërfaqen e murit. Këto janë mijëra priza elektrike ku vihen spinat që ushqejnë kafazet reefer, kontejnerët me ushqime të ngrira, bishtat e të cilëve përfundojnë te kjo rrjetë prej fole grerëzash. Kur shkoj në molin Bausan, kam përshtypjen se shoh nga kalojnë të gjitha mallrat e prodhuara për qeniet njerëzore. Se ku e kalojnë natën e fundit, para se të shiten. Është njëlloj sikur të fiksosh zanafillën e botës. Brenda pak orëve, nga porti kalojnë rrobat që do të veshin djemtë e Parisit për një muaj, përpunimi i peshkut që do të hahet në Breshia për një vit, orët që do të vënë në dorë katalanasit, mëndafshi që do të përdoret për veshjet e anglezëve gjatë një stine. Do të ishte interesante të kuptohej jo vetëm se ku prodhohet malli, por edhe se ç‘udhë ka bërë ai për të mbërritur në duart e blerësit. Prodhimet kanë qytetari të shumëfishta, hibride dhe bastarde. Gjysma e tyre lind në qendër të Kinës, për të përfunduar pastaj në ndonjë periferi sllave, për t‘u përsosur në verilindje të Italisë, për t‘u ambalazhuar në Pulia ose në veri të Tiranës e për të përfunduar më pas në kushedi se ç‘dyqan të Europës. Malli gëzon atë lloj të drejte për të udhëtuar, që nuk do ta gëzojë kurrë ndonjë qenie njerëzore. Të gjitha fragmentet e rrugës, itineraret e papritura apo zyrtare, gjejnë vendmbërritje në Napoli. Ndërsa anijet i afrohen buzës së detit, fullconteiner-ët e stërmëdhenj iu ngjajnë kafshëve të shkathëta, por sapo hyjnë në gji dhe i afrohen ngadalë molit, bëhen mamuthë të rëndë prej llamarine e zinxhirësh, me të dyja ijët plot me të çara të salduara e gjithë ndryshk, prej nga kullon ujë. Anije në të cilat ti përfytyron se jetojnë ekuipazhe të panumërt, po prej të cilave, në të vërtetë, zbret një grusht burrash shtatvegjël, që s‘ta mbushin mendjen se dinë t‘i qeverisin ato kafshë të mëdha në mes të oqeanit.

Herën e parë që pashë të afrohej një anije kineze, m‘u duk se po rrija para prodhimtarisë së të gjithë botës. Nuk bëja dot llogari. Sytë nuk numëronin dot, nuk mund ta përcaktonin sasinë, numrin e kontejnerëve. Mund të duket e pamundur të mos mbash mend vargun e numrave, e megjithatë ata më humbnin, sikur më rrëshqisnin nga duart; shifrat bëheshin tepër të mëdha, rrëmujëzoheshin.

Në Napoli tashmë shkarkohet pothuajse vetëm mall që vjen nga Kina, 1.600.000 tonelata gjithsej. Këto janë vetëm ato që regjistrohen. Por, të paktën, një milion tonë të tjerë kalojnë pa lënë gjurmë. Vetëm në portin e Napolit, sipas Agjencisë së Doganave, 60 për qind e mallit i shpëton kontrollit të doganës, 20 për qind e faturave nuk kontrollohen; aty kanë gjetur 50.000 fatura të falsifikuara dhe 99 për qind e tyre janë me prejardhje kineze. Për më tepër, kanë llogaritur se shuma e tatimeve të papaguara është rreth 200 milionë për çdo gjashtëmujor. Kontejnerët që duhet të zhduken para se të kontrollohen, gjenden në rreshtat e parë. Secili ka një numër, por në fakt ekzistojnë disa të tillë me të njëjtin numër. Kështu, një kontejner i kontrolluar mbulon të gjithë homonimët e tij të paligjshëm. Çfarë shkarkohet të hënën, të enjten mund të shitet në Modena apo në Xhenova, ose mund të përfundojë në vitrinat e Bonit dhe të Munihut. Një pjesë e mirë e mallit që hidhet në tregun italian duhet të kalojë vetëm tranzit aty, por magjitë e doganave bëjnë që tranziti të shndërrohet në ndalesë. Gramatika e mallrave ka një sintaksë për dokumentet dhe një tjetër për tregtinë. Në prill të vitit 2005, gjatë katër operacioneve të ndërmarra thuajse rastësisht, në një distancë të shkurtër nga njëri-tjetri, Shërbimi i Vigjilencës Antimashtrim i Doganës sekuestroi 24 mijë xhinse të paracaktuara për tregun francez; 51 mijë objekte të ardhur nga Bangladeshi me markën made in Italy; rreth 450 mijë kukulla personazhesh të ndryshëm, Barbi, Spidermen; si dhe 46 mijë lodra plastike me një vlerë të përgjithshme prej rreth 36 milionë eurosh. Bëhej fjalë për një thelë të ekonomisë, që brenda pak orëve po kalonte nëpër portin e Napolit. E pastaj, nga porti nëpër botë. Nuk mund të ketë orë apo minutë që kjo të mos ndodhë. E kështu, thela e ekonomisë bëhet kofshë, më pas çerek e në fund një dem i plotë për tregtinë.

Porti është i shkëputur nga qyteti. Një zorrë qorre e infektuar, por që s‘ka përfunduar kurrë në peritonit, e mbetur fshehur gjithherë në një skaj të barkut të bregut. Aty ndodhen zona të braktisura, të zëna si në çark nga uji dhe toka, që duket se nuk i përkasin as detit dhe as tokës. Ato janë amfibë dheu, një metamorfozë detare. Për vite me radhë, mbeturinat që kanë sjellë baticat në breg, i kanë krijuar atij një profil të ri. Aty anijet shkarkojnë nevojtoret e tyre, lajnë hambarët dhe e lënë shkumën e verdhë të kullojë në ujë. Aty zhbllokojnë motorët e motoskafëve dhe të jahteve, pastrojnë gjithçka dhe e hedhin në atë kosh plehrash, që është bërë uji i detit. Gjithçka mblidhet në breg; në fillim si një masë e butë, që më pas bëhet kore e fortë. Ndërkohë dielli përsipër mëton të ndriçojë mirazhin e një deti ujëkripur, por, përkundrazi, shkëlqimi i sipërfaqes së gjirit i ngjan shkëlqimit të qeseve të plehrave. Të atyre të zezave. E më tepër se ujit, deti i shëmbëllen një vaske të pafundme llumi. Skela me mijëra kontejnerë shumëngjyrësh i ngjan një kufiri të pakapërcyeshëm. Napoli është i rrethuar nga një muranë mallrash, që nuk e mbrojnë qytetin, por, në të kundërt, është ky që e mbron atë. Në atë vend sytë nuk të zënë ndonjë ushtri hamajsh e as ndonjë mori varfanjakësh, që përshkrimet romantike na kanë mësuar t‘i përfytyrojmë, teksa sorollaten porteve. Zakonisht porti është simbol i vendit të zhurmave, i turmave frenetike, i vajtje-ardhjeve, plot shenja plagësh të gjuhëve të panumërta që fliten aty, gjithë rrëmujë për shkak të nxitimit nervoz të njerëzve. Përkundrazi, këtu mbretëron një qetësi prej fabrike të automatizuar. Në port ngjan sikur nuk ka më asnjeri; kontejnerët, anijet dhe kamionët duket sikur i zhvendos një lëvizje e vazhdueshme. Një shpejtësi e pazhurmtë.

Vijon nesër me një përshkrim për Shqipërinë


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›