Gjykata Administrative, PS-ja i kërkon sqarime Alibeajt
TIRANË- Partia Socialiste është e gatshme të vazhdojë reformën në drejtësi, pavarësisht dallimeve që ekzistojnë midis saj dhe mazhorancës për mënyrën e realizimit të saj. Një vullnet i tillë është vënë re edhe dje gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku është diskutuar në lidhje me projektligjin për “Organizimin e drejtësisë administrative”, ose thënë ndryshe për krijimin për herë të parë të gjykatave administrative, që do të shqyrtojnë problemet që kanë të bëjnë kryesisht me gjobat ndaj biznesit. Nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, duke folur në emër të deputetëve opozitarë, ka deklaruar se grupi parlamentar që ai përfaqëson do të jetë i gatshëm të votojë pro këtij projektligji, në rast se në të do të pasqyrohen ato praktika që do të bënin të mundur një mirëfunksionim të kësaj gjykate. Por, përpara se të kalojë për votim, ai ka kërkuar nga mazhoranca që të jetë e kujdesshme në hapat që hedh në këtë drejtim dhe t’i hapë rrugë një diskutimi të gjerë, si me aktorët kryesorë që do të vihen në shërbim të zbatimit të këtij ligji, ashtu edhe të grupeve të interesit që do të jenë objekt gjykimi i kësaj lloj gjykate. “Ky është një ligj i rëndësishëm, me efekte të mëdha për qeverisjen e të gjitha shkallëve, me efekte të mëdha në veprimtarinë e gjyqësorit, sepse është një ligj bazik në organizimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe, si i tillë, nuk mund të kalojë me një debat të përciptë, nuk mund të kalojë me një vështrim të përgjithshëm, por do analizë të plotë”, - tha Xhafaj. Kjo analizë, sipas tij, duhet të fillojë me sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë për këtë draft para komisionit të Ligjeve. Vetëm kështu, ka theksuar Xhafaj, do të bëhej e mundur që deputetët e Komisionit të Ligjeve, por edhe grupimet politike që ata përfaqësojnë, të krijojnë një ide të qartë se cilat janë praktikat e marra si shembull dhe sesi do të funksionojë një organizëm i tillë gjyqësor, shtrirjen e tij, operimin, etj. Ai ka kërkuar që nga ky proces nuk duhen përjashtuar aktorët kryesorë dhe institucionet ndërkombëtare që japin asistencë ligjore, pasi kontributi i tyre në këtë rast është i domosdoshëm, pasi bëhet fjalë për strukturë gjyqësore që ngrihet për herë të parë në vendin tonë.