E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, i bie në kokë pllaka e mermerit, vdes punëtori i ndërtimit

Aksidentet në ndërtim me pasojë vdekjen, për fat të keq vazhdojnë të jenë të shpeshta në Durrës. Një tjetër punëtor ndërtimi ka gjetur vdekjen në një nga pallatet që janë duke u ndërtuar në zonën e plazhit. Fatmir Ymeri, 44 vjeç, ka vdekur rreth orës 07:30 në kohën që ishte duke punuar në katin e parë të pallatit pranë vendit që quhet Rrota e Kuqe në Plazh. Burimet policore kanë bërë të ditur se vdekja e 44- vjeçarit është shkaktuar nga një pllakë e madhe mermeri, e cila i ka rënë punëtorit mbi kokë. Pllaka prej mermeri është shkëputur dhe ka rënë nga një lartësi prej rreth 5 metrash. Viktima ishte duke punuar për shtrimin e pllakave në katin e parë kur pllaka i ka rënë në kokë duke i shkaktuar vdekjen. Pallati 10 katesh ku ka ndodhur ngjarja e rëndë gjendet në krahun e djathtë të rrugës Plepa-Ura e Dajlanit dhe është pronë e shtetasit Viktor Xheli, ndërkohë që policia ka marrë në pyetje disa persona që kanë qenë në këtë vend në kohën që ndodhi aksidenti tragjik. Nga të dhënat e para të policisë së Durrësit vdekja është shkaktuar aksidentalisht nga pakujdesia. Afro tre muaj më parë një tjetër aksident i ngjashëm me vdekje ka ndodhur në një tjetër pallat që po ndërtohet afër Urës së Dajlanit, kur Ismat Jaupi, 45 vjeç, vdiq pasi ra nga kati i shtatë i pallatit që po ndërtohej. Aksidentet në ndërtim janë të shumta dhe ato ndodhin nga mungesa e sigurimit teknik apo nga pakujdesia si në rastin konkret.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›