E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Qeveria i jep pa tender licencën operatorit të katërt celular (PTK)

Ngritja e Komisioni Hetimor, i paligjshëm, kuvendi nuk heton pushtetin vendor
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe e ka cilësuar dhënien e licencës së operatorit të katërt celular, si skandalin dhe vjedhjen më të madhe të qeverisë. Braçe është shprehur se i ka kërkuar qeverisë dokumente shtesë për këtë tender. Deputeti socialist deklaroi se  vendimi më i fundit i qeverisë për ti dhënë licencën pa tender, operatorit të katërt celular në Shqipëri, shkeli ligjin e prokurimeve duke bërë kështu favorizim në garën për të fituar licencën. Tenderi u zhvillua nga Enti Rregullator i Telefonisë dhe po nga ky ent u anullua. Sipas këtij institucioni bëri të ditur Braçe, asnjë nga firmat që synuan operatorin e katërt në vend nuk plotësoi kriteret e vendosura.Braçe shtoi se pavarësisht shpalljes së pavlefshme të tenderit, Këshilli i Ministrave vendosi që licenca ti jepet pa tender Post Telekomunikacionit, Kosovë (PTK) që përfaqëson kompanitë Union Grup, Infosoft, Albania Drink Distribution, ACi Engineering shpk. Bashkimi i tyre, deklaroi Braçe, ofroi 7.2 milionë euro për licencën e telefonisë së katër celulare në Shqipëri. Vendimi i Këshilli i Ministrave ka mbërritur në Kuvend ku dhe pritet të kalojë në komisionet përkatëse e më pas në seancën plenare për miratim.  Sipas Braçes, edhe këtë herë, si në rangun e ligjit për trafikimin e armëve, që i hapi rrugë tragjedisë së Gërdecit, "parlamenti po përdoret për të bërë faj kolektiv, për të mos mbajtur përgjegjësi ligjore" deklaroi ai në një konferencë për shtyp. Ndërkohë ai i kujton Berishës se nuk mund të formojë komision hetimor për Ramën, pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese e ndalon Kuvendin të hetojë pushtetin vendor.
Qeveria, skandal 7.2 milionë euro
Skandal i qeverisë Berisha me operatorin e katërt të telefonisë celulare në vend, teksa ai do të jepet pa tender, por me një VKM të thjeshtë, që do miratohet edhe nga Kuvendi. Pasi ka dështuar dy herë në tenderin e telefonisë, qeveria ka gjetur si zgjidhje që të japë licencën e katërt në kundërshtim me ligjin për prokurimet publike. Këtë gjë qeveria e justifikon me krizën globale dhe mungesën e blerësve. Sipas relacionit që shoqëron vendimin, operatori i katërt do t'i jepet për 15 vjet Post Telekomit të Kosovës dhe për këtë shteti do të marrë 7.2 milionë euro. Këto para do të përdoren menjëherë në buxhetin e shtetit, i cili është pothuajse i boshatisur nga premtimet e shumta qeveritare në prag të fushatës elektorale. Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se "i jepet e drejta e përdorimit, për 15 vjet, kundrejt çmimit 7.200.000 euro, në brezin e frekuencave E-GSM dhe GSM 1800, bashkimit të përfituesve të përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës, sipas kushteve të ofertës, të dorëzuara tek Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Një ndër kushtet themelore të vendosura nga qeveria për palën kosovare, është pagesa e shumës prej 7.2 milionë eurove brenda shtatë ditësh nga hyrja në fuqi e miratimit të kontratës. Kjo ngutje e qeverisë vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, hedh dyshime të forta për qëllimet e vërteta në dhënien e licencës së katërt të telefonisë celulare. Në relacionin që shoqëron vendimin që duhet miratuar në Kuvend, jepen edhe shkaqet e pretenduara nga qeveria për dhënien pa tender të licencës së katërt të operatorit të telefonisë celulare në vend."Pas një procedure konkurruese tender i hapur ndërkombëtar, të shpallur në gazeta të rëndësishme ndërkombëtare, megjithëse disa kompani të huaja prestigjioze shprehën interesin për pjesëmarrje, në datën e njoftuar për tenderin publik u paraqitën vetëm dy oferta, thuhet në relacion. Sipas tij, është e qartë se oferta është shumë e vlefshme, por nuk mund të shpallet fituesi, pasi sipas procedurës së prokurimit publik, rregullave të prokurimit, përcaktohet se një procedurë është e suksesshme kur numri i ofertave konkurruese të vlefshme duhet të jetë më shumë se numri i frekuencave të dhëna. Në këtë tender jepej një frekuencë dhe paraqitej vetëm një ofertë. Për këtë arsye, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duhet të shpallë tenderin e pavlefshëm dhe të përcaktojë një datë të re konkurrimi. Por, edhe pse pranohet që çdo veprim i mëtejshëm është në kundërshtim me ligjet, qeveria kërkon të gjejë një zgjidhje, të cilën e konsideron si "më oportunen". Në relacionin e qeverisë renditen disa pika që konsiderohen si pozitive për shtetin dhe një ndër to është vlerësimi i krizës globale. Në të thuhet se kriza që preku ekonominë botërore do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim dhe për këtë arsye nuk priten oferta të tjera më të mira. Një tjetër justifikim i qeverisë është edhe krijimi i vendeve të reja të punës, por edhe injektimi i kapitaleve të lira për tre vitet e ardhshme buxhetore. Duke justifikuar gjithçka për të mirën e publikut, qeveria i kërkon Kuvendit që të miratojë këtë kontratë edhe pse është në shkelje të ligjit. "Nëse Kuvendi miraton këtë nismë për shkaqe vetëm ekonomike dhe të konkurrencës së ndershme në treg, operatorët janë të detyruar të vijojnë reduktimin e vërtetë të tarifave", thuhet në VKM.

Last Updated on Tuesday, 21 April 2009 11:57

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›