E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, jepet dëmshpërblimi për anijet e mbytura



Dje paradite, ekspertë të huaj të specializuar për të kryer ekspertizat e aksidenteve detare nga kompania P&D, kanë përcaktuar vlerën e tri anijeve të mbytura në aksidentin detar të datës 22 nëntor të vitit 2008, kur porti i Durrësit u mbulua nga një fortunal i fortë detar. Si pasojë e tij, ishte përplasja e tragetit “Aureila” me portin e peshkimit. Statistikat e dëmeve ishin fatale, pasi tri anije u mbyturën dhe gjashtë prej tyre pësuan dëmtime, gjithashtu kalata e peshkimit u dëmtua seriozisht, por edhe doku i kantierit detar “Kurum” pësoi dëmtime të rënda. Ky ishte fortunali më i fortë që kishte përfshirë portin e Durrësit, i ngjashëm me atë të 42 viteve më parë, i cili është i njohur për ngjarjen në bigën lundruese “Adem Reka”. Pas këtij incidenti, gjërat u trajtuan në bazë të ligjeve të detit sipas të cilave pronarët e dëmtuar të anijeve duhet të dëmshpërbleheshin në bazë të shkallës së dëmit. Në fillim të muajit janar 2009, kompania në të cilën ishte siguruar trageti “Aurelia” dëmshpërbleu anijet e dëmtuara, por pas tyre radhën e kanë pronarët e anijeve që përfunduan në fund të detit.

Dje paradite, dy ekspertë të huaj për ngjarjet detare kanë qenë në Durrës dhe kanë kontaktuar me pronarët e tri anijeve të peshkimit të fundosura në det mëngjesin e 23 nëntorit 2008, pas përplasjes me tragetin “Aurelia”. Ata kanë bërë të njohura rezultatet e ekspertizës për vlerën e anijeve të mbytura, ku në total të tria anijet janë vlerësuar me 570.000 euro. Më konkretisht, anija “El Paso” është vlerësuar 150 mijë euro, anija “Taulantia” me vlerën 170 mijë euro dhe anija “Aquario 3” me vlerën 250 mijë euro. Pikërisht, këto janë vlerat e parave që do të marrin pronarët e këtyre anijeve.

Të tria anijet ishin me konstruksion druri. Për të mbërritur deri në këtë fazë, ky proces nisi me hetimin e ngjarjes detare, më pas me pasojat e saj dhe në fund me vlerën e dëmeve të shkaktuara.

Vlera e anijeve të mbytura u arrit në bazë të të dhënave të siguruara nga Regjistri Detar dhe nga kapiteneria si dhe nga çmimi i anijeve të peshkimit të përafërta me anijet e mbytura në tregun ndërkombëtar, duke testuar disa vende të cilat lagen nga ujërat detare. Ndërkohë, kompania P&D fillimisht kreu likuidimet ndaj pronarëve të 6 anijeve të cilat mëngjesin e 22 nëntorit pësuan dëmtime. Ato ishin anijet “Adi”, “Kanina”, “Sevasteri”, “Arturo” , “Rinia” dhe “Juendri”. Dëmshpërblimi për ta varioi nga 5 mijë deri 20 mijë euro.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›