E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda tre muajve lidhje interneti për 2000 shkolla

19/02/2009  MASH, kontratë me Albtelekomin

Shkollat e mesme dhe ato të arsimit bazë tashmë do të kenë në laboratorët e tyre informatikë edhe linjën e internetit. Projekti është finalizuar ditën e djeshme me nënshkrimin e kontratës së bashkëpunimit ndërmjet kompanisë “Albtelekom” dhe Ministrisë së Arsimit. Kontrata përcakton se në një hark kohor prej tre muajsh rreth 2000 shkolla të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin do të pajisen me internet. Kontrata, me vlerë mbi 1 milion dollarë (vlera e plotë 1.051.814.40 dollarë) do të instalojë shërbimin e internetit pranë këtyre institucioneve, realizohet në kuadër të programit “Cilësi dhe barazi në arsim”. Kreu i dikasterit të arsimit Fatos Beja gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka pohuar: “Me instalimin e internetit për një periudhë kohore të shkurtër do të shfrytëzohen me mijëra kompjutera që ne kemi shpërndarë ditët e fundit në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Jemi të gëzuar që kemi arritur të nënshkruajmë një kontratë me kushte shumë të favorshme për Ministrinë e Arsimit dhe me një kompani që ne besojmë se do t’i përmbushë të gjitha detyrimet që ka në kontratë, në mënyrë që të gjithë nxënësit të përfitojnë prej këtij shërbimi.” Nëpërmjet kësaj risie nxënësit do të kenë mundësi të plotësojnë dijet e marra nga tekstet mësimore me informacione shtesë. Ndërsa drejtori i “Albtelekomit”, Mustafa Arkdogan, ka pohuar gjatë lidhjes së kontratës: “Një nga misionet e ‘Albtelekomit’ është t’i shërbejë sistemit arsimor, shkollës shqiptare në përgjithësi. Ashtu siç e përmendi pak më parë edhe zoti ministër, do të mundohemi që në një kohë rekord të çojmë shërbimin e internetit në të gjitha shkollat. Një nga realitetet e shekullit të 21-të është interneti.”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›