Pasoja ligjore për “mashtruesit” e Juridikut
Rektorati i Universitetit të Tiranës ka vendosur që të ndjekë penalisht të gjithë personat që kanë mashtruar me shkollën e parë në sistemin me kohë të pjesshme të Fakultetit të Drejtësisë. Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule, bëri dje të ditur për mediat se e quan mashtrim veprimin e 52 kandidatëve që nënshkruan një formular ku zotoheshin se nuk do të ishin në një shkollë të parë paralele. Për këtë arsye, sipas tij, do të nisë ndjekja penale ndaj këtyre fituesve.
Pasojat ligjore
Universiteti dhe ministria ranë dakord se një person që vazhdon studimet në një universitet, nuk mund të përfitojë dhe të regjistrohet në sistemin me kohë të pjesshme. Për këtë arsye, në dosjen e aplikimit u shtua një deklaratë personale e studentit që nuk vazhdon një shkollë tjetër. Plotësimi i rremë i kësaj deklarate përbënte shkelje ligjore, sipas universitetit dhe përveç regjistrimit, studentët do të kishin dhe pasoja juridike.
Problemi nisi menjëherë pas fillimit të regjistrimit në sistemin me kohë të pjesshme. Kjo, pasi një urdhër i ri i rektoratit përcaktoi se vetëm ata që kanë dëftesë origjinale të shkollës së mesme mund të regjistrohen, në ndryshim nga udhëzimi i ministrit Beja, që kërkonte dëftesën origjinale ose një dublikatë. Kjo solli reagime nga ana e studentëve, ndërkohë që rektori Kule e arsyetoi vendimin si përpjekje për të mënjanuar abuzimet.
Çregjistrimi
Vendimi për çregjistrimin e këtyre personave është marrë dje nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, i cili ka lajmëruar dekanin e Fakultetit të Drejtësisë për ekzistencën e 52 emrave që po vazhdojnë studimet dhe të 1 personi, mesatarja e të cilit është keqllogaritur.
Sipas kësaj letre, nga verifikimi i respektimit të kërkesave të udhëzimit “që rektorati i UT-së po kryen për kandidatët e përcjellë nga ana juaj si fitues në sistemin me kohë të pjesshme, ju informojmë se kandidatët e listës bashkëngjitur (të verifikuar vetëm në fakultetet e UT-së) duhet të çregjistrohen, sepse janë përfshirë në kundërshtim me kërkesat e MASH-it”.
Në këtë letër, rektorati i bën të ditur Fakultetit të Drejtësisë se duhen njoftuar këta persona që nuk janë fitues dhe se duhet të nisë regjistrimi për fituesit e rinj. “Ju informojmë se procesi i verifikimit vazhdon në universitetet e tjera shqiptare, si dhe për dokumentacionin që kandidatët kanë paraqitur. Udhëzoheni të njoftohen kandidatët e kësaj liste, si dhe të vazhdojë plotësimi i kuotave të miratuara sipas udhëzimit të MASH-it”, – bën të ditur rektorati.