E Diel, 1 Nëntor 2026

Sikur Havzi Nela të ishte gjallë ...



Nga Bedri Çoku

Kur i doli emri për t’u transferuar nga burgu i Burrelit për në një burg tjetër, më pak të rëndësishëm, gjithë kohën e lirë të ajrosjes unë e Havzi Nela bisedonim si, pse dhe për ç’arsye ishin shtyrë ata të qeverisë për ta larguar nga burgu i famshëm i diktaturës më të egër në botë. E brente ndërgjegjja mos unë dyshoja që largimi i tij nga ky burg kishte lidhje me cedimin e ndërgjegjes së tij, se mos ishte “i thyer”, i dorëzuar dhe si shpërblim po merrte këtë lloj transferimi...

Kisha disa vite që jetoja në një dhomë me të. Në shoqëri të veçantë. Sepse ai e unë shkruanim të dy, unë në prozë, ai në poezi. Por, ngaqë ishim pa shumë pretendime në art, thjesht ngulmonim t’i rrëfeheshim njeri-tjetrit në mënyrë letrare, duke u ngushëlluar, njëkohësisht, edhe për fatkeqësitë tona personale, ai me vargje poetike e unë në prozë. Tregonim, për më tepër, sinqerisht, vuajtjet tona shpirtërore, mua, për ato që m’u ndërprenë që sapo u çelën, ai, sidomos, për çka kishte arritur të ndërtonte me sakrifica dhe ndjenja të pastra, sidomos për Lavdijen, gruan e tij të famshme, gati hyjnore, e cila vuante në burgun e Kosovës së Lushnjës, për të cilën, siç thoshte, do të ndërtonte gjithmonë vargje, jo vetëm për hir të kujtimeve të jetës besnikërisht bashkëshortore, por edhe për gjithçka që ai donte dhe vlerësonte në këtë jetë, në lidhje me të, me kombin e Shqipërinë. E kishte brengë të madhe shkakun e të vërtetës pse ajo u “sakrifikua” për të dhe vuante në burg, ndërkohë që për vete ndihej i kënaqur, sepse ishte duke bashkëvuajtur, siç thoshte, me burrat e vërtetë të Shqipërisë, me patriotët dhe antikomunistët e betuar të kombit shqiptar.

Unë që kisha disa vite në një dhomë me Havziun dhe shok i ngushtë me të, gjeja tek ai jo vetëm njeriun e mikun e sinqertë, një bashkëvuajtës të ndershëm, të vendosur, por mbi të gjitha një mësues të pasionuar, i cili nuk pushonte së treguari për nxënësit e nxënëset e mrekullueshme, teksa i kujtoheshin duke qarë me lot, ngaqë një ditë ai, si guximtar që ishte, në mbledhjen e zgjeruar me disa nga fshatrat përreth, kishte kundërshtuar përfaqësuesit e qeverisë, ardhur nga Tirana, në cilësinë e mësuesit të fshatit, pse ata ngulmonin për të ndërtuar me përdhunë kooperativa bujqësore, edhe nëpër fshatrat e malësisë së Shqipërisë. Ishte kjo “përplasje” e parë, e drejtpërdrejtë me pushtetin komunist, e cila i kishte trembur nxënësit e tij për pasojat që e prisnin mësuesin e dashur. Qenë vërtet shkaku kryesor, që ai, pas disa kohësh, duke nuhatur mbikëqyrjet e përditshme të Sigurimit të Shtetit, vendosi, së bashku me Lavdijen e tij të përjetshme, për t’u “arratisur” nga atdheu i dashur.

“Para se të kapërcenim kufirin, - tregonte, - unë e Lavdija qëndruam një copë herë, duke parë me lot në sy dritat e shtëpisë sonë, puthëm tokën e përqafuam njëri-tjetrin. Pastaj shkrova letrën ku thoshim: “Po ikim me zemër të plasur për ty, Atdhe!” Lavdija vendosi buzët e saja të lyera mbi letër...

Por kurrë nuk do ta kisha besuar, pa e provuar vetë, se sllavët janë armiqtë tanë të përjetshëm”. Ai kishte mësuar përmendësh “Lahutën e Malcis” së Fishtës dhe citonte veçanërisht një nga vargjet e tij, kur thoshte për serbët se me ta: “Kena le` në mënin e njani-tjatrit”...

Sepse, pas disa ditësh, serbët në pabesi i kishin dorëzuar, burrë e grua, tek rojat e kufirit shqiptar.

“... E bënë këtë vetëm se pse ne u treguam të sinqertë, të ndershëm e patriotë. Nuk pranuam të shanim atdheun dhe popullin tonë, siç donin ata, madje as të pranonim bashkëpunimin kundra Shqipërisë: na e thanë qysh atje shifrën e viteve të dënimit tonë me burg, sapo të ktheheshim në Shqipëri. Na thanë edhe emrat e burgjeve, ku do të vuanim dënimet e rënda. Nuk lëvizi presja nga ato që thanë e vendosën jugosllavët. U dënuam me vite burg, aq sa thanë ata e na çuan për të vuajtur dënimin po në ato burgje ku i caktuan ata. Mua në Spaç, Lavdijen në Kosovë të Lushnjës. Jam i bindur plotësisht që këtu, në Shqipëri, sundojnë serbët, edhe pse këta hiqen si “të prishur” me jugosllavët. Kjo është fatkeqësia më e madhe e popullit tonë, sepse beson sikur e udhëheq dhe e qeverisë PPSH-ja. Po të shikosh me vëmendje, nëpër burgjet tona, mbi 60% e të burgosurve janë të dënuar për arratisje dhe të kthyer nga Jugosllavia. Me qindra nga këta u arratisën për shkak të krijimit me përdhunë të kooperativave bujqësore edhe në Veri të Shqipërisë. Pse? Po të ishte se jugosllavët nuk e donin dhe e luftonin regjimin në Shqipëri, s’do të kthenin asnjë kundërshtar të regjimit, duke e ditur se këtu ata, patjetër o i burgosin, ose i pushkatojnë...”

Havziu ishte i çiltër, dukej sikur përherë i mbante buzët duke qeshur, i butë dhe i ngrohtë në biseda. Asnjëherë nuk e ngrinte zërin. I donte njerëzit me gjithë shpirt. Në sytë e tij bojë qielli vetëm çiltërsi dhe mirësi pasqyrohej...

I erdhi një ditë një kartolinë, ndoshta e vetmja nga më të çuditshmet që i kaloi censurës shumë të fortë të burgut të Burrelit, me të cilën fjeti disa net, duke e mbajtur nën jastëk. Ia kishte dërguar një nga ish-nxënësit e tij, i cili me vargje shprehte mall e respekt, gjoja për axhën e vet, për të cilin ruante mbresa të pashlyeshme, kur nga ai mësonin në shkollë gjëra aq të vlefshme për jetën. “Disa nga ato mësime, - thoshte ish-nxënësi, - dolën tamam siç na i mësoje ti, axhë i dashur, para se të të merrnin “ushtar”... Nuk paska lumturi më të madhe sesa të jetosh në kooperativën tonë bujqësore!!!”...

Unë kënaqesha kur e shihja Havzi Nelën teksa qeshte me të madhe me fjalët e ish-nxënësit të tij... Qeshte fort, natyrshëm e me gjithë shpirt.

“Më vjen mirë, - thoshte, - që kundërshtimin tim për kooperativat bujqësore në malësi, atëherë, më 1966, e paskan kuptuar drejt edhe nxënësit e mi... dhe po më përkrahin...”

Vdekja e tij për ne të burgosurit politikë, në burgun e Burrelit, u prit me dhimbje të madhe. Asnjëri nga bashkëvuajtësit e tij nuk e besoi që Havziu ishte varur në litar. Nuk mund ta përfytyronte dot asnjeri nga ne se si mund të shtrëngohej litari i vdekjes në qafën e Havziut, mësuesit të mrekullueshëm dhe poetit njëkohësisht, për t’ia mbyllur përjetësisht zërin dhe sytë e bukur e njerëzorë, sepse ai nuk kishte bërë asnjë krim, nuk kishte fyer apo çnderuar njeri, nuk kishte vjedhur apo mashtruar njeri. Ai nuk donte diktaturën në Shqipëri, nuk donte kooperativat në malësi, dashuronte jetën dhe donte atdheun, siç ia kishin lënë amanet të parët. Ndoshta ky ishte “faji” i vetëm i tij kundër Shqipërisë...

Unë e ndjeva shumë vdekjen e Havziut, sepse para se ai të largohej nga burgu i Burrelit, nguli këmbë që të më linte kujtim jorganin e vet. Sipas traditës së pashkruar në burgun e Burrelit: “Kush largohej, nuk merrte me vete as jorgan, as libra!” Të dyja konsideroheshin mjete strategjike për mbijetesën e atyre që mbeteshin në atë vend të mallkuar.

Fjeta disa vjet nën jorganin e Havzi Nelës, por kur ai vdiq, jorganin e tij e mbështolla me një çarçaf dhe e lashë në depon e rrobave. Më ka ngelur peng që, kur më kthyen përsëri në burgun e Burrelit... jorganin e tij nuk e gjeta më në depon e veshmbathjeve...

Këto ditë që dëgjoja e lexoja thëniet e disa persekutorëve të tij nëpër mediat e tyre private, mendova: “Po sikur Havzi Nela të ishte gjallë e të dëgjonte sot këta kriminelë të diktaturës, kur të thoshin se “Bedri Çoku”, p.sh. nuk arriti të duronte dot diktaturën komuniste pa kërkoi vdekjen me varje në litar, ose, shprehje të tilla, pa pikë turpi, se gjoja disa e kanë për nder për ligjet kriminale që i zbatuan në atë kohë, sepse i tillë ishte dhe është zanati i tyre, të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht cilës epokë i përkasin, vallë, çfarë përgjigje do t’u kishte dhënë ai ?”

Me siguri që do të kishte kërleshur vetullat e trasha mbi ato qepallat e gjata nën kaltërsinë e syve të tij të bukur e do të ulërinte:

“More, zyrtarë kriminelë, pjellë e shkjaut dhe e ideologjisë më të përçudnuar në botë, ju që tërë jetën u ushqyet dhe vazhdoni të ushqeheni me prenë e bandës vrastare e grabitqare të shqiptarëve, ende vazhdoni të mbaheni për burra të nderuar e të aftë në zanat, duke shpifur paturpësisht për viktimat tuaja? Por edhe Pëllumbi i Paqes, more i pashpirt, po ta mbyllje e izoloje vite të tëra në kafazin tënd kriminal, duke e privuar nga të pangrënët, nga shoqëria nga dëshirat dhe pasionet për liri e dashuri, sapo të shihte gardianin e tij teksa i afrohej tinëzisht kafazit-burg, me siguri do ta kafshonte sa të mundte. Mos vallë edhe Pëllumbit të Paqes, në këtë rast, do t’i thoshe zotrote, mishngrënës e terrorist e do ta varje në litar?

Fund

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›