Durrës, kapen me pasaporta false, arrestohen dy kosovarë në port
Fenomeni i arrestimit të kosovarëve për tentative të kalimit të kufirit në mënyrë të paligjshme është shumë i përhapur. Pothuajse çdo muaj ndodhin arrestime të tilla dhe një kjo ka ndodhur edhe tani në fillim të marsit. Policia kufitare e portit të Durrësit ka vënë në pranga dy shtetas si dhe ka filluar ndjekjen penale për një të tretë, për shkak se ata kanë tentuar të kalojnë kufirin me pasaporta të falsifikuara.
Nazmi Gashi, 32 vjeç, lindur në Prizren dhe banues në fshatin Drenoc, Kosovë, është arrestuar mesnatën e diel, në kohën që është paraqitur para autoriteteve të Policisë Kufitare të Komisariatit të Portit Durrës për të udhëtuar drejt shtetit italian me tragetin "Tirrenia" të linjës Durrës-Bari me pasaportë dhe një leje qëndrimi zviceriane në emrin e tij, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Po kështu, është vënë në pranga në orët e para të mëngjesit edhe shtetasi Ferat Aga, 26 vjeç, lindur në Restelica fshati Dragash, Kosovë, i cili është paraqitur para autoriteteve të Policisë Kufitare të Komisariatit të Portit Durrës për të udhëtuar drejt shtetit italian me tragetin e linjës Durrës-Bari me pasaportë jugosllave, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Ndërsa për shtetasin Hajre Berhami, 23 vjeç nga Kosova, ka filluar ndjekja penale, pasi është kapur në flagrancë nga ana Shërbimet e Policisë Kufitare duke tentuar të kalojë kufirin në mënyre të kundraligjshme për në shtetin italian me tragetin "Rigel" të linjës Durrës-Bari me një pasaportë të UNMIK- ut, e cila ishte në emër të shtetasit Nebih Bajrami. Pasaportat dhe lejet e qëndrimit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale nga ana e komisariatit të policisë së Portit Durrës.