E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arroganca dhe pafytyrësia e vesit

Nga Prof. Assoc. Dr. Gjergj SINANI
Hapësira mediatike është pushtuar nga buja e banalitetit të vesit të Ylli Pangos. Befas na u shfaq edhe arroganca dhe pafytyrësia e vesit nën frazeologjinë e ligjit dhe të privacisë. Me të drejtë Hegeli thoshte se për çdo gjë mund të gjenden argumente, por ai ka thënë edhe një gjë shumë të madhe, që banaliteti i vesit na e provoi në mënyrën më të plotë: nuk mund të ndërtohet një komunitet politik, pa krijuar më parë një komunitet moral. A është krijuar ky komunitet moral? Banaliteti i vesit na tregoi pa asnjë mëdyshje se ende nuk është krijuar, madje ai po shpalos edhe arrogancën e paturpësisë. A i njeh banaliteti i vesit virtytet e republikës? A e di se virtyti bazë është zhvillimi i lirë i personalitetit njerëzor?  Arroganca e vesit na tha se po bëj apologjinë e pjesës së dytë të pamjeve. Publiku do të pyesë se çdo të thotë bëj apologjinë e Termi apologji, gramatikisht, do të thotë mbrojtje. A mund të mbrohet ajo që pamë? Prej këtej rrjedh termi apologjetik që do të thotë një diskutim apo vepër apologjetike, e cila ka shpënë edhe në një metodë që quhet metoda apologjetike, e cila paraqitet në dy kuptime. Së pari, nën një formë negative dhe në kuptimin etimologjik (apologji destruktive), tregon një disiplinë që ka për objekt të mbrojë fenë kundër sulmeve që i bëhen asaj, të shkatërrojë pengesat që mund ta largojnë individin nga besimi. Së dyti, në formën e saj pozitive dhe në kuptimin aktual (apologji konstruktive), është pjesë e teologjisë (që në gjuhën e përditshme cilësohet si fondamentale), që ka si objekt që të bazojë, përmes argumentesh historikë dhe racionalë, faktin e revelacionit të krishterë dhe të kredibilitetit të fesë së krishterë dhe katolike.  Të mos harrojmë se ky term lidhet edhe me veprën e famshme të Platonit Apologjia e Sokratit, ku kemi një mbrojtje të shkëlqyer të mjeshtrit që qëndron në themel të të menduarit të njeriut perëndimor evropian, drejt të cilit synojmë që të shkojmë. A mund të krahasohen këto kuptime të apologjisë me apologjinë e vesit? Gjithsesi jo. Problemi më shqetësues në këtë banalitet vesi janë ulërimat me gishtin tregues ndaj artistit Kujtim Çashku një natë më parë për shtetin ligjor, ndërsa shteti ligjor kishte kohë që përdorej për kënaqësi mishtore. Në fakt për vesin ky është shtet ligjor, por jo shteti i të drejtës. Të mos harrojmë se edhe despotizmat janë shtete ligjorë, por jo të drejtë. Shteti i të drejtës ka një parim shumë të thjeshtë, por shumë të vështirë për tu zbatuar; të gjithë janë të barabartë para ligjit. Detyra e funksionarit publik është që të zbatojë këtë parim dhe jo ta shkelë atë për shkak të hireve të një bukurosheje apo ndërhyrjeve të një miku. Shteti ligjor ka na themel kapriçot e princit, siç shprehej Monteskjë, ndërsa shteti i të drejtës ka barazinë para ligjit. Kështu, çdo apologji në dëm të ligjit nuk ka ta bëjë me shtetin e të drejtës. Vesi qahet se e kanë provokuar dhe nuk mundi ti rezistojë joshjes. E dimë se shumë gjëra të mëdha në histori kanë kaluar përmes barkut të grave, por ne kërkojmë nga funksionari publik që të ruhet ndaj joshjeve për të mos e shkelur ligjin.Po i kujtoj publikut se në demokraci këto gjëra ndodhin. Le të lexojnë një tregim të bukur të Mark Tuenit, Ju lutem hyni pesë minuta në dhomën time, ku shkrimtari i famshëm amerikan na tregon për një kandidat në prag zgjedhjesh, i cili gjatë gjithë kohës ruhej nga ndonjë grackë e rivalëve ku, natyrisht, aspekti moral është një kurth i lehtë. Në një mbrëmje ai njihet me një vajzë shumë të bukur, të cilën e shoqëroi deri te dera e shtëpisë dhe vajza i kërkoi të hynte pesë minuta për të pirë një çaj. Kandidati nuk pranoi duke qenë gjithmonë skeptik për mundësi kurthi. Kur u largua ai dëgjoi një britmë gruaje dhe hyri menjëherë në shtëpinë e vajzës dhe e gjeti atë me fustan të shqyer për të dhënë idenë e një përdhunimi. Ai menjëherë e kuptoi situatën dhe telefonoi avokatin e vet, i cili e zgjidhi problemin. Pas disa ditësh vajza e kërkoi për ti kërkuar ndjesë dhe u takuan jashtë në një park. Aty vajza, me lot në sy, i kërkoi të falur dhe i tha se disa maskarenj, duke shfrytëzuar varfërinë e saj, e kishin detyruar të vepronte në atë mënyrë. Duke u ndarë i kërkoi që ta përqafonte. Personazhi i Tueinit pranoi, por ajo e mbajti pak si gjatë shtrënguar dhe kur u ndanë, dy fotoreporterë po mblidhnin aparatet e tyre. E solla këtë shembull për të treguar se funksionari publik nuk mund të justifikohet se nuk i rezistoi dot joshjes së bukurisë, dhe nuk duhet të fshihet pas ligjit për të mbrojtur vesin apo për ta përdorur si armë politike. Përdorimi i ligjit si armë politike, shkruan Fareed Zakaria, e shtrembëron idenë e barazisë para ligjit. Prandaj dhe funksionari publik ka ligjin që e kufizon në veprimin e vet. Z. Pango e di, ose duhet ta dijë, se akti i parë i shkëputjes së njeriut nga bota shtazore ishte ndalimi i incestit dhe shoqëria civile, domethënë shoqëria me shtet, është zhvilluar përmes ndalimeve. Moralisht kjo shprehet me ndjenjën e detyrimit moral, që do të thotë se brenda çdo njeriu ndeshen dy unë., uni i ndjeshmërisë dhe ai i arsyes. Ai i ndjeshmërisë është i pangopur, por uni i arsyes e ndalon që të lëshohet në plotësimin e pulsioneve të mishit. Në qoftë se funksionari publik nuk i frenon dot pulsionet e mishit të vet, ai duhet të përgjigjet jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht për dëmin që u bën të tjerëve. Lexova të krahasohet me Don Zhuanin. Është një nder që i bëhet vesit, pasi Don Zhuani e bazonte suksesin tek arti i vet dhe jo te pushteti. Ndryshe nuk do të kishte frymëzuar Moxartin, apo Prosper Merimenë. Kur dëgjova klithmat e apologjisë së vesit, mu kujtuan fjalët e Vilhem Raih, një psikoanalist dhe asistent i Frojdit, i cili shkruante: Mjaft më njeruc. Ka dy lloj tingujsh: ulërima e furtunës dhe e rrebeshit në majat e maleve dhe ... pordha jote. Qelbesh era pordhë, por ti beson se parfumon erë violetë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›