E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, kapen 55 kg marijuanë, prangosen drejtuesit e autobusit

Kapen 55 kg marijuanë në tentativë për tu kaluar drejt Greqisë si dhe poseduesit e saj. Policia kufitare e Gjirokastrës ka zbuluar lëndën narkotike në orët e para të ditës së djeshme në autobusin e linjës ndërkombëtare Tiranë-Athinë tip Neoplan  me targa TR 74 54 L, që i përket shoqërisë së transportit të udhëtarëve Lilo Turs. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, pohuan për gazetën SOT se poseduesit e marijuanës 55 kilogramëshe, Fredinand Nano, 48 vjeç, dhe Ilia Goxhaj, 38 vjeç, të dy nga Tirana janë arrestuar në flagrancë menjëherë sapo u gjend lënda narkotike. Policia Kufitare me të mbërritur në orët e para të mëngjesit në Kakavijë, ndërmori një kontroll të imtësishëm në bordin e tij. Pasi nuk kanë gjetur lëndën që kërkonin, policët ndërmorën një kërkim në tavanin e autobusit në pjesën e jashtme. Në kasetën që shërbente për kondicionerët e autobusit, u konstatuan disa pako të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe, brenda të cilave kishte sasi marijuane. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe gjatë kontrollit kanë konstatuar se në kasetë ndodheshin 55 pako në formë cilindrike me peshë 1 kilogram secila. "Autobusi së bashku me katër pasagjerë është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe pas një pune të mirëfilltë profesionale dhe proceduriale bënë të mundur identifikimin e poseduesve të lëndës narkotike dhe dokumentimin ligjor të këtij trafiku, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Gentijan Mullai. Mbi dy drejtuesit e autobusit rëndon vepra penale e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme. Dy ditë me parë, policia lokale në bashkëpunim me strukturat e larta të Policisë së Shtetit bënë të mundur sekuestrimin e 500 kg marijuanë, pas të cilit vuri në pranga dy banorë të fshatit Lazarat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›